EKSKLUZIVE/ Borxhi ndaj Lilajt, zbulohet si e zgjidhi Skënderbeu (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2018 | 22:50

EKSKLUZIVE/ Borxhi ndaj Lilajt, zbulohet si e zgjidhi Skënderbeu (E PLOTË)

Skënderbeu gjen mënyrën për të zgjidhur ngërçin për sa i përket borxhit që i detyrohet lojtarit të Kombëtares që tashmë është pjesë e Gabalës në Azerbajxhan. Vetëm një ditë më parë, mesfushori Sabjen Lilaj bëri një deklaratë të radhës në lidhje me mosdhënien e borxhit të caktuar që Skënderbeu ka karshi korçarit, dhe disa orë pas kësaj deklarate, bardhekuqtë gjetën mënyrën e duhur për të mbyllur një herë e mirë këtë çështje.

lilaj

Burime të sigurta të gazetës bëjnë me dije se Skënderbeu në janar pret të arkëtojë shumën e shitjes së Kristal Abazajt nga Anderlehti në një vlerë prej 750000 eurosh. Pjesë e së cilës është dhe Luftëtari që ka 20 për qind të kartonit të futbollistit në këtë transferim. Pikërisht, me këtë shumë korçarët kanë ndërmend që të mbyllin një herë e mirë të gjitha vonesat e pagave që i detyrohen mesfushorit të kombëtares. Sabjen Lilaj herë pas here ka bërë apel mediatik për moskorrektësinë e klubit bardhekuq në lidhje me pagat e prapambetura që i takojnë lojtarit.

Në këtë kuadër, për të shpëtuar nga një çështje e tillë, duket se Skënderbeu e ka gjetur zgjidhjen pikërisht nga të ardhurat që vijnë nga Belgjika. Në Federatën Shqiptare të Futbollit, pikërisht në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve ku kishte shkuar çështja “Lilaj”, klubi i Skënderbeut ka çuar një shkresë, me dijeninë e FSHF-së, që menjëherë, pasi kjo shumë të arkëtohet në fillimin e muajit janar, të derdhet pjesa që njeh klubi si borxh ndaj Lilajt në arkat e këtij të fundit. Në këtë mënyrë, Skënderbeu do të mbyllë përfundimisht borxhin që i ka korçarit në vitin e fundit të qëndrimit të tij si pjesë e kampionëve në fuqi.

Luftëtari fiton 150 mijë euro

Paratë gëzojnë edhe Luftëtarin. Nuk është vetëm Skënderbeu dhe Sabien Lilaj që përfitojnë nga të ardhurat e dedikuara për shitjen e Kristal Abazajt tek Anderlehti. Pas blerjes së Abazajt nga Skënderbeu, Luftëtari mbajti 20 për qind të kartonit të futbollistit dhe në bazë të një llogaritjeje për shumën e shitjes së lojtarit në Belgjikë, klubi gjirokastrit pritet që të marrë një vlerë prej 150 mijë eurosh nga ky transferim. Jo e pakët si shifër kjo për një klub që është hera e parë që shet një futbollist në arenën europiane.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"