EKSKLUZIVE/ Besa goditje të dyfishtë në merkato, pret Giamfin dhe Sasrakun nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2021 | 11:11

EKSKLUZIVE/ Besa goditje të dyfishtë në merkato, pret Giamfin dhe Sasrakun nga Tirana

Isak Giamfi dhe Derik Sasraku drejt Besës. Edhe pse pa zhurmë, kavajasit po “gatuajnë” një goditje të dyfishtë në merkato. Prej ditësh verdhezinjtë po negociojnë me Tiranën dhe duket se e kanë bindur për t’i marrë dy lojtarë.

Giamfi Sasraku

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për ganezët, të cilët nuk kanë pasur hapësira të mëdha me bardheblutë në Kategorinë Superiore. Ata pritet që të vijnë në formë huazimi, e megjithatë vetëm sot do të vendoset gjithçka për këtë operacion.

I pari luan si qendërsulmues, ndërsa i dyti aktivizohet në qendër të mesfushës. Ardhja e Taulant Seferit zvogëlon edhe më shumë shanset e 26-vjeçarit për të marrë minuta, e njëjta gjë vlen edhe për 20-vjeçarin pas rikthimit nga dëmtimi i Jurgen Çelhakës.

IKËN EDHE KOLECI

Vjen edhe një largim nga Besa, bëhet fjalë për Eristotel Kolecin. Pas Mateo Levendit, edhe mesfushori ka shpallur “divorcin” me klubin.

Koleci

Lojtari nuk gjeti hapësirat që pretendonte te Besa, ndaj nga dje nuk është më pjesë e kavajasve. Grupit deri më tani i është bashkuar 17-vjeçari Alban Hyseni, por trajneri Artan Mërgjyshi hapur e ka thënë se i mungojnë alternativat.

PLANET E BIZHDILIT

I vendosur para kësaj situate, presidenti Nexhat Bizhdili është duke punuar për të përforcuar ekipin. Ai ndjek nga afër Besën në çdo seancë stërvitore dhe i pyetur nga gazeta, zbulon planet e merkatos. “Të gjithë futbollistët kur vijnë në ekip, kanë si synim që të jenë pjesë e formacionit kryesor. Por, këtë e cakton stafi teknik bazuar në performancën e lojtarit dhe nevojat që ka ekipi.

Bizhdili-2

Unë gjatë gjithë karrierës sime, nuk kam pasur asnjëherë dëshirë të penalizoj lojtarët për shkak të një firme që ka hedhur në kontratë. Levendi edhe Koleci që nuk gjetën hapësirën që donin te Besa, më kërkuan largimin. Pranova pa hezitim, pasi sikurse thashë nuk dëshiroja t’i mbaja peng për shkak të firmës në kontratë. Por, ju me siguri do të vazhdoni të pyesni pse ndërkohë nuk ka prurje cilësore sikurse kisha premtuar.

Atëherë po shfrytëzoj rastin t’i jap një lajm të mirë tifozërisë verdhezi. Pas bisedash intensive, kam arritur të mbyll në parim bisedimet me 2 futbollistë, që luajnë në Superiore. Janë elementë që do të na bëjnë mjaft punë për të realizuar objektivin, ngjitjen në elitë.

Kërkoni emrat? Më mirëkuptoni, nuk mund t’i bëj publike sot (dje), por ju garantoj se nesër (sot) do të mësoni se cilët janë. Pse jo, mund të jenë edhe më shumë se dy afrime.

Kur them këtë numër, kam parasysh ata që do vijnë nga elitë, me të cilët parimisht kemi rënë dakord me klubin ku luajnë. Për vetë koston e lartë që kanë, të dy do të jenë në formë huazimi. Shpresoj që krahas tyre të afroj edhe 2 lojtarë të huaj brenda javës”, ka deklaruar numri një i klubit kavajas.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"