EKSKLUZIVE/ Bashkia padit drejtuesit, presidenti Halilaj: Muli fushatë me ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2020 | 16:46

EKSKLUZIVE/ Bashkia padit drejtuesit, presidenti Halilaj: Muli fushatë me ekipin

I kontaktuar nga “Panorama Sport” në lidhje me kallëzimin penal që i ka bërë Bashkia e Gjirokastrës, presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, sërish ka sulmuar kryebashkiakun Golemi, apo shokun Muli, siç e quan ai, se po bën fushatë me ekipin. Halilaj ka pohuar se avokatët e tij po bëjnë gati kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për Golemin.

Biznesmeni-Bekim-Halilaj

“Sipas informacionit që kam nga portale të ndryshme, sepse nuk kam asnjë shkresë zyrtare, kryetari i bashkisë, shoku Muli, më në fund u zgjua dhe kërkon ta vërë Luftëtarin në binarë, pavarësisht se e ka vetë fajin. Është ai shkaktari numër 1 i rrënimit të Luftëtarit me hedhjen në erë të historisë së një klubi 90- vjeçar.

Si president i klubit pas gushtit 2019, kam çdo dokument të pasqyruar dhe po t’i referohemi kontabilistit tim, kupton çfarë kam paguar dhe kush ka paguar. Bashkia është me zero investim, ka shlyer një pjesë të detyrimit të gjykatës dhe atë e ka bërë pasi klubi është dëmtuar më 13 tetor, për të plotësuar një tekë personale të miqve të vet.

Kryebashkiakut, shokut Muli, do t’i bëj kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme. Kam urdhëruar zyrën time juridike të kompanive të mia që të përgatisin padinë serioze për të dalë e vërteta. Në ngarkim të kryebashkiakut Muli janë tri akuza: abuzim me fondet grumbullim të fondeve nga qytetarët dhe mosçuarjen në destinacion, braktisje dhe rrënim total të klubit dhe akuza të pabaza”, thotë Halilaj.

ÇFARË FORMULE PROPOZON SHOKU MULI? – Më tej, presidenti i Luftëtarit bën një interpretim ndryshe. “I bëj një pyetje shokut Muli: Cila është formula që ai propozon për shpëtimin e klubit? T’i lëmë debatet politike. Ai do të bëjë fushatë me klubin, kurse unë jam biznesmen.

Mos janë ato formulat e skutave si ta marrë klubin e Luftëtarit në mënyrë të parregullt? Sekuestrimi i pronave private dhe i aseteve ka përfunduar në vitin 1945, nuk ka më reforma agrare, ta harrojë Muli. Nuk isha unë që i thashë ‘Largohu’ nga klubi gjirokastrit. Është ai që më tha ‘I je futur detit në këmbë’, më tha ‘Ç’do në Gjirokastër?’ Qytetarët paguajnë çdo muaj për ekipin, ku shkojnë këto fonde? Cili është fondi i 2020-ës nga bashkia për futbollin?

Më 15 tetor të vitit të kaluar kam derdhur 20 milionë lekë për ekipin. A ka dhënë një euro Muli? Mbaj përgjegjësi ligjore pas datës 13, pavarësisht se ka administrator dhe ai ka bërë detyrën.

I bëj apel popullit të Gjirokastrës t’i kërkojë bashkisë si ta shpëtojë ekipin. Unë dhe Muli të paraqitemi para drejtësisë, ajo vendos kush ka faj, jo mediat lokale në varësi të bashkisë. Muli bën fushatë me klubin, ka ardhur vetëm një herë në stadium, kur erdhi vëllai i kryeministrit në ndeshjen me Partizanin. Atëherë na kërkoi t’i rezervonim vend. Po ju tregoj me foto si e kishte lënë fushën dhe si e bëmë ne”, ka thënë më tej Halilaj.

F. RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"