EKSKLUZIVE/ Anuloi penalltinë në Korçë, flet arbitri Muska: E vërteta e vendimit, ju tregoj bisedën me Jorgjin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2020 | 0:02

EKSKLUZIVE/ Anuloi penalltinë në Korçë, flet arbitri Muska: E vërteta e vendimit, ju tregoj bisedën me Jorgjin (E PLOTË)

A u bë VAR te penalltia e anuluar e Enea Jorgjit në Korçë?” Kjo është pyetja që bëhet më së shumti pas ndeshjes së Kupës Skënderbeu-Bylis, 1-1 të mërkurën në mbrëmje. Raportimet e para ishin që delegati i ndeshjes dhe vëzhguesi sinjalizuan arbitrin e katërt. Por ky i fundit e mohon kategorikisht këtë. Quhet Roxhers Muska, është sezoni i tij i parë në Superiore dhe ka anuluar dy gola si arbitër i katërt. Rast unik në kampionatin tonë.

Roxhers Muska

Djaloshi, që betohet se nuk ka marrë asnjë sinjalizim nga delegati e vëzhguesi dhe nuk ka parë asnjë pamje filmike para se të kërkonte anulimin e penalltisë, ose është me shumë fat, ose realisht mund të jetë një zbulim në radhët e arbitrave për të ardhmen.

Për të intervistuar Muskën na u desh fillimisht të dëgjonim një lumë kritikash nga disenjatori Sokol Jareci, që thotë se i është ngrënë haku dhe se, sipas tij, nuk është përdorur asnjëherë VAR ilegal. Në rrëfimin për “Panorama Sport” Roxhers Muska shpjegon me detaje se përse i sugjeroi Enea Jorgjit që të anulonte penalltinë e dhënë në minutën e…

Roxhers, ju e anuluat penalltinë e dhënë nga Jorgji të mërkurën në Korçë?

Unë i sugjerova Eneas (Jorgjit) që ta anulonte penalltinë dhe ai ma dëgjoi fjalën.

Pse e anuluat penalltinë?

Sepse e pashë qartë dhe isha i bindur se nuk pati kontakt për penallti.


JORGJI-MELLUGJA

Çfarë i thatë Jorgjit?

E sinjalizova dhe po i flisja, por u bë rrëmujë e madhe dhe në fillim e patëm të vështirë të komunikonim.

Pse u bë rrëmujë?

Sepse stafi dhe stoli i Skënderbeut hynë në fushë e pothuajse shkuan te zona e rreptësisë për të protestuar. Është detyra ime që t’i largoj ata nga fusha. Në atë moment u bë pak rrëmujë.


PROTESTAT-1 (1)

Dakord, po çfarë i thatë  Jorgjit?

E pyeta nëse më lejonte që t’i jepja një mendim. Ai tha: “Vazhdo Nertil, po të dëgjoj”. Më ngatërroi me anësorin Bregasi. Ndërkohë pastaj Bregasi i sqaroi që po i flisja unë në kufje. I thashë që për mendimin tim nuk ishte penallti.

Po ai çfarë ju tha?

Më pyeti sërish nëse isha i sigurt, pasi Enea kishte dyshime se intensiteti i goditjes së topit nga lojtari i Skënderbeut kishte qenë
shumë i madh dhe më pas kishte bërë faull ndaj lojtarit të Bylisit. Unë i thashë se isha i sigurt dhe ai më dëgjoi. Vendosi ta anulonte penalltinë.

Ju a patët sugjerime nga vëzhguesi dhe delegati?

Jo, fare. Për këtë më vjen inat, sepse edhe ju në media e keni pasqyruar sikur kam marrë sugjerime nga dikush, por nuk është kështu. Ju betohem!

A e patë diku në ndonjë celular apo në ndonjë tablet rastin dhe më pas sinjalizuat Jorgjin?

Jo pra. Jua thashë që thjesht e pashë rastin dhe sinjalizova arbitrin kryesor.

Po pse u vonua aq shumë Jorgji që ta ndryshonte vendimin?

Kaluan afro 2 minuta e 57 sekonda… Sepse në momentin që Enea akordoi penallti, gjithë stafi i Skënderbeut dhe rezervat hynë në fushë. U krijua rrëmujë dhe unë fillimisht po përpiqesha që të nxirrja jashtë vijave pjesëtarët e Skënderbeut. Pastaj po flisja me Jorgjin dhe po ia shpjegoja, por duhet të kuptoni që ishin momente kur edhe Jorgjin nuk po e lejonin që të komunikonte lirshëm në kufje, pasi lojtarët e të dyja skuadrave i flisnin nga afër. Kjo ishte e gjitha.

Po ju pse ishit aq i bindur se penalltia nuk ishte?

Sepse kisha fushëpamje të qartë. Në atë moment ndodhesha në mes të zonës së delegatit dhe të stolit të Skënderbeut. Po e ndiqja aksionin dhe e pashë qartë. Jorgji në atë moment ndoshta nuk e ka pasur fushëpamjen e qartë dhe vendosa të ndërhyj.

Çfarë do t’u thoshit atyre që janë ende të bindur se diku e patë në video rastin dhe prandaj e anuluat penalltinë?

Mos harroni se unë jam një arbitër i ri. Nuk i kam hyrë kësaj pune që të eci përpara duke bërë shkelje rregullash. Nuk është e lehtë as për mua që t’i them një arbitri shumë të rëndësishëm si Enea Jorgji që të anulojë një penallti. Por, nga njëra anë, na kërkohet që të jemi të drejtë dhe pastaj, kur marrim guximin edhe për vendime të tilla, na thonë që e pa në celular, ia tha dikush etj. Nuk është fare e vërtetë.

Dhe, sa për informacion, nuk është e mundur të ndodhë kjo. Jua shpjegova me detaje dinamikën. Sapo nisa komunikimin me Jorgjin stoli i korçarëve u vërsul drejt fushës. M’u desh të largoja ata nga fusha. Më thoni pak: ku e pashë videon? Më gjeni një pamje që kam parë ndonjë celular, apo që kam marrë udhëzime nga dikush…

Si ndiheni sot (dje)?

I mërzitur.

Pse?

Sepse në të tilla raste merr ndonjë përgëzim. Pra, ke bërë detyrën si duhet, ke ndihmuar kolegët dhe ke treguar se ishe i vëmendshëm në punën tënde. Por shikoni çfarë ndodh… Më thonë që u bë VAR. Kështu nuk shkon haku te i zoti dhe më vjen shumë keq për këtë.

Po të ndodhë sërish një rast i tillë, a do të kërkoje të anulohej penalltia?

Të them të drejtën nuk e di. Normalisht do të druhesha. Kur mendon që ke guxuar t’i sugjerosh një arbitri si Jorgji që të anulojë një penallti dhe pastaj e kupton që ke pasur të drejtë, por ta hedhin poshtë punën, atëherë sigurisht që do të druhesh.

Ju keni anuluar edhe një penallti në ndeshjen BylisVllaznia, 2-2, këtë sezon, apo jo?

Po, e saktë.

Pse ju ndodhin vetëm juve këto?

Po mua nuk më ka ndodhur asgjë, unë thjesht detyrën time kam bërë.

Po në Ballsh a patët ndonjë sugjerim nga delegati dhe a e patë rastin në video?

Jo pra, fare. Nuk kam parë asnjë rast në video dhe as nuk kam marrë ndonjëherë sugjerime nga delegati apo vëzhguesi. Ja që te pyetjet tuaja vërehet një lloj tendence. Nuk funksionon kështu. Thjesht kam bërë detyrën time. Jua thashë që ky është sezoni im i parë në Superiore dhe nuk kam ndërmend ta ndërtoj karrierën duke bërë hile. Kam vepruar ashtu si e kam menduar.

Çfarë profesioni keni përveç arbitrit?

Jam mësues i edukimit fizik në një nga shkollat e Tiranës.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"