“Egnatia nuk do të zhgënjejë askënd”, Krasniqi: Respekt për Kukësin, por në start duam të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2021 | 9:43

“Egnatia nuk do të zhgënjejë askënd”, Krasniqi: Respekt për Kukësin, por në start duam të…

Egnatia është gati për të bërë debutim pas 16 vitesh mungesë në Superiore. Gjatë merkatos ka pasur një bum afrimesh si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Rrogozhinasit shpresojnë te një nisje e mbarë duke parë dhe investimet e shumta që janë bërë kudo. Në një intervistë për “Panorama Sport” qendërmbrojtësi Gëzim Krasniqi thekson se e respekton Kukësin ku ka luajtur më parë, por Egnatias nuk i lejohen gabime.

Krasniqi

“Fazës përgatitore i erdhi fundi dhe gjatë kësaj jave jemi përqendruar te përgatitjet anti-Kukësi. Trajnerët, por edhe ne lojtarët kemi pasur në vëmendje kundërshtarin e sfidës hapëse që na ka rezervuar kalendari. Shpresojmë që t’i bëjmë një nisje sa më të mirë sfidës hapëse për këtë sezon të ri. Është fat që luajmë në stadiumin tonë dhe është një detaj që duhet të jemi më të motivuar. Nuk na lejohet të bëjmë asnjë hap fals, por të jemi sa më të saktë kudo.

E respektojmë Kukësin, po dhe ne si klub kemi nisur gjithçka nga e para. Presidenti e drejtuesit na kanë plotësuar çdo kusht themeltar në çdo kohë. Duhet të shlyejmë besimin e dhënë prej tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë jemi për një qëllim në repartet nga porta e deri në sulm, kemi treguar forcën tonë në miqësore të ndryshme. Kemi pasur shumë afrime në merkato që na janë bashkangjitur e përshtatur shpejt.

Jam besimplotë se nuk do zhgënjejmë askënd që do na ndjekë nga afër pas shumë kohësh mungesë. Tifozët kanë qenë mbështetje e madhe për ne si në fushën tonë dhe në transfertë. Gëzojmë një formë të mirë dhe jemi gati të japim maksimumin. Për Kukësin si klub ruaj respekt se kam dhënë kontribut sezone më parë. Tashmë jam pjesë e Egnatias dhe do bëj më të mirën për këtë fanellë që më është besuar. Gjithkush bën llogaritë e veta gjatë garës që ka shumë përballje për t’u luajtur radhazi. Askush nuk duhet të na quajë kalimtarë në elitë pasi ne kemi shanset tona e kundërshtarët të vetat”, mbylli Gëzim Krasniqi.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"