Egnatia humb “ushtar” Telushin, presidenti kërkon kthesën ndaj durrsakëve: Vlerësoni fanellën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2021 | 23:15

Egnatia humb “ushtar” Telushin, presidenti kërkon kthesën ndaj durrsakëve: Vlerësoni fanellën

Mesfushori Bruno Telushi ka alarmuar Egnatian dhe tashmë rrezikon të mungojë gjatë jashtë fushave prej dëmtimit në gju. Vlonjati nuk ishte kundër Laçit dhe është e sigurt që do të mungojë edhe të enjten kundër Teutës.

bruno telushi

Burime pranë stafit mjekësor i thanë dje gazetës “Panorama Sport” se mesfushori vlonjat vuan një dëmtim të pësuar që në ndeshjen ndaj Tiranës. Në fillim u mendua se kishte një këputje ligamenti, por në ditët e fundit lojtari i është nënshtruar ekzaminimeve të specializuara për të vlerësuar gjithçka. Është zbuluar se në njërin gju edema është e fryrë. Pra, gjuri ka mbledhur ujë dhe kërkon pushim absolut. Në kampin rrogozhinas mbesin me shpresën që titullari të riaftësohet sa më shpejt dhe të evitojë një operacion të mundshëm në gju, që do ta mbante disa muaj larg fushave.

Ndërkohë, për takimin e së enjtes ndaj Teutës, rikthim i rëndësishëm është mbrojtësi Franc Ymeralilaj, që mungoi ndaj laçianëve për shkak të gjendjes gripale. Gjithashtu edhe mbrojtësi i majtë, Ilir Allmuça, që shleu dënimin nga kartonët, do të jetë një forcë më shumë për trajnerin Zekerija Ramadani. Egnatia po kalon një moment të keq në kampionat dhe në këtë ndeshje të fundit shpresohet te rezultati pozitiv.

ANALIZA – Nga humbja në humbje, por tek Egnatia ka optimizëm për vazhdimësinë. Drejtuesit janë munduar të mbajnë lart moralin e ekipit, duke konfirmuar besimin që kanë te grupi aktual. Duke qenë se investimi i presidentit Agim Demrozi është i madh, kërkohet që ekipi të jetë më i përgjegjshëm në vazhdimësi. Vetë presidenti Demrozi ka mbajtur para seancës së djeshme një fjalim para ekipit. Gazeta ka zbardhur një pjesë të asaj që kreu i klubit ka thënë. “Kërkoj më shumë përqendrim nga ju në vazhdimësi. Keni pasur mundësi reagimi disa herë, por nuk ia keni dalë. Duhet ta vlerësoni në maksimum fanellën që mbani veshur, sepse nuk ju ka munguar asgjë për të dhënë maksimumin ndaj kundërshtarëve. Jepni më të mirën dhe ne siç ju kemi vlerësuar, do të vazhdojmë t’ju vlerësojmë.

Rrugëtimi në Superiore u nis mjaft mirë, por tani është momenti t’i gëzoni tifozët dhe të shpërbleni besimin tonë. Dua që me Teutën të ketë reagim, duke iu kthyer rezultatit pozitiv në këtë ndeshje të fundit. Të gjithë ne presim që të ketë diçka më ndryshe në lojën tuaj dhe të shfrytëzoni rastet që krijoni. Detyra jonë është që të analizojmë çdo detaj që nuk shkon si duhet. Ju duhet përqendrim dhe vlerësim në çdo aspekt”, mësohet të ketë thënë para ekipit presidenti Demrozi në takimin e djeshëm në ambientet e stadiumit.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"