Egnatia fiksohet në Tuz, do edhe sulmuesin 24-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2022 | 8:34

Egnatia fiksohet në Tuz, do edhe sulmuesin 24-vjeçar

Egnatia ka qenë një prej klubeve më aktive deri më tani në merkaton e verës.

KRISTJAN VULAJ

Pas emërimit të trajnerit Edlir Tetova, rrogozhinasit kanë prezantuar sulmuesin Ilir Camaj, portierin Alen Sherri, mbrojtësin e majtë, Emiliano Musta, si dhe qendërmbrojtësin Nehar Sadiki.

I pari që hapi rrugën e merkatos së Egnatias ishte pikërisht Camaj, i cili vinte pas disa sezonesh fantastike në kampionatin malazez me klubin shqiptar, Deçiç, të Tuzit.

Nga janari dhe deri në maj të këtij viti sulmuesi provoi të luante në Oman me skuadrën Dhofar Club, ndërsa pas largimit pranoi ofertën e Egnatias.

Por, tashmë që ka firmosur për dy vite me rrogozhinasit, Camaj kërkon të marrë me vete edhe sulmuesin tjetër të Deçiçit, Kristjan Vulaj.

Lajmin e konfirmon vetë lojtari gjatë një prononcimi për mediat malazeze, ku fillimisht u ndal te aventura e shkurtër në Oman dhe firma me Egnatian.

“Kam qenë i pafat, sepse u dëmtova. Ishte një sfidë për mua të luaja jashtë Malit të Zi, të njiheshim me një kulturë tjetër. Megjithatë, në Oman, loja ishte shumë e ashpër dhe kjo nuk ishte tërheqëse për mua.

U dëmtova dhe përveç kësaj, aty ishte jashtëzakonisht nxehtë dhe kjo nuk më pëlqeu shumë. Megjithatë, nuk jam i zhgënjyer me vendimin që mora për të provuar një tjetër eksperiencë.

Pas largimit nga Omani mora një ofertë joshëse nga klubi shqiptar. Ishte një projekt ambicioz, pasi Egnatia kërkon të jetë në Europë në sezonin tjetër. Në skuadër ka dy brazilianë, një nigerian dhe një ganez…

Kushtet në kontratë janë të shkëlqyera, ndërsa akomodimi im do të jetë në një hotel në Durrës.

Gjithçka është e shkëlqyer. Nuk kam asnjë dyshim se do të jap kontributin e pritur për ekipin në përmbushjen e objektivave. Dëmtimet janë lënë pas tashmë dhe mezi pres fillimin e përgatitjeve më 4 korrik”, ka thënë Camaj.

OFERTA – Bashkë me Kristjan Vulajn, ai ka qenë tmerri i mbrojtjeve dhe portierëve në Mal të Zi. Tashmë, Camaj shpreh dëshirën e tij që pjesë e Egnatias të bëhet edhe Vulaj, i cili ka dalë lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Deçiçin.

“Do të isha i lumtur nëse Kristian firmoste me Egnatian. Ne jemi të integruar në mënyrë perfekte dhe pothuajse e kuptonim pa e parë njëri-tjetrin në fushë. Vulajt i ka skaduar kontrata dhe do ta bindë që ta pranojë ofertën e Egnatias.

Dje ishin në Tuz përfaqësuesit e klubit tim të ri dhe biseduan me të. Nga ana tjetër, Kristian ka shumë oferta tërheqëse nga Turqia, Koreja e Jugut dhe Rusia.

Megjithatë, është një avantazh i madh nëse vjen në Rrogozhinë, pasi nga shtëpia jonë është vetëm 2 orë e gjysmë me makinë dhe për më tepër projekti është interesant”, përfundoi sulmuesi.

VULAJ

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"