Egnatia e karikuar, gati për historinë ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2023 | 16:47

Egnatia e karikuar, gati për historinë ndaj Vllaznisë

Historike për Egnatian ndeshja e së mërkurës në mbrëmje në Shkodër. Përballë do të kenë një kundërshtar tepër të fortë. Vllaznia është fituese e dy edicioneve të fundit të trofeve të Kupës (më 2021 e 2022).

Egnatia

Por Egnatia të qenit për herë të parë në gjysmëfinale nuk e ka thjesht një rast për të qenë e ndrojtur. Përkundrazi, duke e njohur dhe vlerësuar aq shumë emrin e traditën e madhe të Vllaznisë, si nga stafi drejtues ashtu dhe vetë futbollistët është natyrisht e vetëkuptueshme edhe shkallën e vështirësisë së kësaj ndeshjeje.

DY ISH-ë – Janë dy futbollistë, konkretisht portieri Alen Sherri dhe mbrojtësi i djathtë, Abdurrahman Fangaj, që origjinën e tyre e kanë në Shkodër dhe me Vllazninë kanë luajtur e janë afirmuar më së miri në startin e karrierës së tyre. Por këtë sezon këta lojtarë i përkasin Egnatias dhe të gjithë e kanë parë përkushtimin e tyre prej profesionistësh të vërtetë. E shkuara e ka nocionin e nostalgjisë brenda saj, kjo as që mund të diskutohet.

Në fushën e lojës janë gjëra të tjera që kushtëzojnë. Dhe këtë 26-vjeçari Sherri që është një prej portierëve që ka pësuar më pak gola në këtë sezon, po ashtu dhe mbrojtësi i djathtë, 26-vjeçari tjetër Abdurrahman Fangaj që dallohet për shpirtin e garës, e dinë se ky 90-minutësh i parë në Shkodër do të jetë emocionues. Të aktivizuar sistematikisht në kampionat dhe duke e njohur më së miri stilin e lojës që praktikon Egnatia, Sherri e Fangaj janë të bindur se kjo ndeshje e parë, është një tjetër test mbi mundësitë dhe aftësitë e skuadrës rrogozhinase për të synuar që pas dy ndeshjeve ndaj Vllaznisë fillimisht në Shkodër e më pas në Rrogozhinë, Egnatia të marrë për herë të parë biletën për të luajtur në finale. Që do të ishte një ëndërr shumë e bukur jo vetëm për Sherrin e Fangajn, por gjithë futbollistët e tjerë.

NDRYSHIMET –  Me përjashtim të Bledar Lilës, që po respekton terapinë e rekomanduar nga stafi mjekësor, futbollistët e tjerë janë në gatishmëri të plotë. Në të tri repartet Egnatia ka paraqitur harmoni dhe stabilitet dhe ndryshimet e vetme pritet të jenë në skemën e vendosjes në fushë, ku veçmas asaj që aplikohet si zakonisht 3-5-2, për vetë rëndësinë që ka ndeshja mund të përdoret dhe luajtja me 4-4-2.

Skemë e cila, në një farë mënyre, është shtim i masave mbrojtëse në prapavijë duke frenuar e ngushtuar kështu rrezen e veprimit manovrës së ekipit Shkodran. Dyshja e sulmit dihet se në ndeshjet e fundit ka qenë shumë aktive me Rafael Duamena dhe Redi Kasën. Për këtë të fundit u mësua se në takimin me Laçin u vëzhgua nga afër dhe nga trajneri i Kombëtares sonë, braziliani Silvinjo dhe kjo është një gjë e mirë që tanimë te Egnatia ka lojtarë potencialë që luajnë edhe me ekipet kombëtare si lituanezi shtatlartë Gytis Palauskas, Letonezi Eduart Emsis, apo Sherri e Fangaj, që kanë luajtur në miqësoret e fundit të Kombëtares kuqezi para se të largohej nga drejtimi italiani Edi Reja.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"