Efekti i “djallëzorit” Ronaldo, portugezi pushtues i Europës. Italia e para në Europë për golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2018 | 23:10

Efekti i “djallëzorit” Ronaldo, portugezi pushtues i Europës. Italia e para në Europë për golat

Në stadiumin “San Siro”, djalli i vërtetë kishte veshur një “pelerinë” bardhezi, por me një emër engjëllor… 33 vite më parë, e ëma Dolores, një katolike portugeze, zgjodhi ta quante Kristiano, por nuk e imagjinonte që djali i saj do të shndërrohej në një “vrasës” serial të tempujve të futbollit. Në mbrëmjen milaneze, Ronaldo shkelte shtëpinë e “djallit” teksa mbi shpinë peshonte numri i frikshëm, 666…

Po flasim për golat e tij në karrierë, me të cilët kishte terrorizuar kontinentin në 15 vite. Kjo shifër e errët, e cila do të transformohej në 667, pasi me një goditje pas pritjes së parë të Donarumës, ai vendos që të festojë edhe në “San Siro”, duke thyer një tabu personale, që zgjaste prej 5 ndeshjesh në këtë stadium, i vetmi tempull i futbollit europian, ku i mungonte goli. Ai e kishte kërkuar disa herë dhe pas disa tentativave, tashmë me bluzën e Juventusit, arriti që të lërë gjurmën e tij edhe në shtëpinë e Milanit dhe tashmë tabloja e tij mund të quhet e kompletuar.

ronaldo

“Djallëzor” – “San Siro” ishte tempulli i radhës për Kristiano Ronaldon, por në karrierën e tij, djallëzori Kristiano nuk është kursyer me pushtimet. Ai ka qenë sovran në “Old Trafford” për 6 sezone dhe në “Santiago Bernabeu” për nëntë: në të dyja këto “katedrale” të futbollit, ai ka shënuar me breshëri, 73 gola me bluzën e Junajtid dhe 244 me atë të Realit. Por, edhe larg tifozëve të skuadrës së tij, ai ka shënuar me të njëjtën vazhdimësi. Shembulli: muskujt e barkut të treguar 12 herë përpara tifozërisë katalanase, që sfidonin barrierën e zërit me vërshëllimat mbytëse ndaj tij. Dhe pikërisht aty, në strofkën e rivalëve më të zjarrtë në karrierën e tij, ai ka shënuar edhe numrin më të madh të golave, mes impianteve më të mëdha të futbollit europian, në të cilët ka shkuar si udhëtues.

Shkurt, “Kamp Nou” është kopshti i preferuar i Kristianos. Në “Kalderon” (shtëpia e Atletikos së Madridit), ku gjithashtu është shoqëruar me shumë vërshëllima e ofendime është ndalur në kuotën 10. Sponsori “Allianz” ishte gjithashtu familjar për veshët e Ronaldos, jo sepse i tillë quhet stadiumi i Juventusit, por për atë “Allianz” në Mynih, për shtëpinë e Bajernit, ndaj të cilëve ka shënuar një dopietë në gjysmëfinalen e Champions-it 2014, por u përsërit sërish me një dopietë në çerekfinalet e 2017-ës.

Capture

Pushtimi anglez – Sikur të mos mjaftonte, muskuj barku dhe pirueta në ajër, Ronaldo ka dhuruar në çdo stadium të madh anglez. Mungon vetëm “Stamford Bridge”, shtëpia e Çelsit, por që gjithsesi nuk ka atë hijeshinë e “Uemblit”, apo akoma më shumë të “Anfield Road”-it të Liverpulit, dhe “Emirates”-in e Arsenalit. Shkurt, kudo që shkel, Ronaldo ka ditur që të lërë shenjën e tij dhe nuk ka ndërmend që të ndalet as me bluzën e Juventusit, teksa deri tani numëron 9 gola në 15 ndeshje, por mund të përmirësohet…

EMIGRIMI I CR7-ës, SPANJA HUMB GOLAT DHE ITALIA SHËNON MË SHUMË SE KUSHDO TANI

Efekti Kristiano Ronaldo… Deri në sezonin e kaluar, Spanja ishte dhe një statistikë të tillë e mbronte me krenari prej kohësh, se ishte kampionati që ofronte numrin më të madh të golave. Më shumë gola, më shumë spektakël, sepse fundja ky është edhe qëllimi i sportit më të bukur në botë, por, me sa duket, ata që duket se nuk u dëshpëruan për largimin e Kristiano Ronaldos nga “La Liga”, tashmë duhet të nisin të shqetësohen, sepse shifrat të paktën këtë thonë: Spanja papritur shënon më pak, shumë më pak, ndërsa Italia, përjashtuar Holandën, që nuk është një prej pesë kampionateve më të mëdhenj në Europë, është e vetmja që tejkalon “Serinë A”.

Efekti Ronaldo ka bërë që ekipet italiane, të fokusuara mbi të gjitha te trendi për të mos pësuar, sivjet kanë vendosur që të hidhen në sulm, sepse fundja përballë Kristiano Ronaldos dhe Juventusit nuk mjafton vetëm të mbrohesh, por kërkohet që të shënosh, nëse kërkon të provosh të dalësh me pikë. Gjithsesi, më shumë sesa kjo, është fakti që Spanja ka humbur vende në renditjen e golave të shënuar, pas emigrimit të atij lojtari që garantonte 50 gola në sezon, mesatarisht 34.5 për çdo sezon që ka qenë te Reali i Madridit.

Capture1

“La Liga” pas 12 javësh ka shënuar në total 304 gola, ku sulmi më i mirë është Barcelona me 34 gola. Ndërkohë, çdo ndeshje e La Ligës ofron 2.5 gola mesatarisht për ndeshje, ose e përkthyer ndryshe, 25.3 gola për një javë në kampionat. Seria A, e cila ishte shumë e varfër deri një vit më parë, ka bërë një hov të jashtëzakonshëm, duke qenë se pas 12 javësh kampionat numëron 335 gola të realizuar, me Juventusin dhe Napolin që me 26 gola secila janë sulmi më i mirë i kampionatit, por ndërkohë në çdo ndeshje të Serisë A shënohen 2.7 gola për ndeshje, ose 27.5 për çdo javë të kampionatit. E gjithë kjo, falë efektit Ronaldo…

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"