Efekti “domino”, Elbasani zhyt të gjithë… qarkun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2019 | 21:03

Efekti “domino”, Elbasani zhyt të gjithë… qarkun

Elbasani është konsideruar gjithnjë si “lokomotiva” e gjithë prefekturës. Verdheblutë kanë tërhequr gjithnjë pas vetes skuadrat e tjera të qarkut, duke filluar nga Shkumbini e për të kaluar te Turbina, Sopoti, Gramshi apo Domosdova (ky i fundit prej dy vitesh nuk ekziston më si ekip).

Elbasani

Mirëpo, prej disa vitesh duket se elbasanasit e kanë humbur këtë epitet. Aktualisht, nuk janë më në gjendje të “tërheqin” skuadrën e vet dhe jo më të mendojë për të ndihmuar të tjerat. Situata e rënduar në klub ka krijuar një efekt zinxhir te të gjitha ekipet e prefekturës, ndonëse secila prej tyre ka autonominë e vet dhe problemet kryesore i kanë në shtëpinë në gjenezë.

Gjithsesi, një dorë për gjendjen që po kalojnë ua ka dhënë edhe Elbasani. Nëse dikur i furnizonin me lojtarë, tashmë e kanë humbur këtë mbështetje.

elbasani

EFEKTI “DOMINO” – Mjafton të themi që para pak më shumë se një dekade, ekipi i Elbasanit militonte në Kategorinë Superiore dhe kishte financa të shëndosha. Shumë lojtarë dilnin nga moshat dhe për hir të së vërtetës nuk mungonte cilësia. Por, derisa nuk kishte hapësira që të ingranoheshin te verdheblutë, shpërndaheshin në formë huazimesh tek ekipet e tjera të qarkut, duke i ndihmuar këto ekipe.

Shkumbini gjithashtu ishte pjesë e elitës, Turbina pretendente në Kategorinë e Parë, ndërsa Sopoti, Gramshi dhe Domosdova nuk diskutonin mbijetesën në kategori. Gjendja e mirë e klubit të futbollit Elbasani bënte që e tillë të ishte edhe tek ekipet e tjera të prefekturës.

elbasani

Sot, po ndodh e njëjta gjë, por me ndryshimin e vetëm se është ndryshuar kahu. Gjendja e keqe e verdhebluve ka bërë që asnjë prej klubeve të tjera të ngrejë “krye”, sepse nuk e kanë më ndihmën e klubit më të fuqishëm të qarkut.

Duket se për aq kohë sa do të “lëngojë” Elbasani, kështu do të jetë edhe për ekipet e tjera dhe këtë e tregon fakti që prej shumë vitesh asnjëra nuk është në Superiore. Në Kategorinë e Parë skuadrat që marrin pjesë luftojnë vetëm për mbijetesë, ndërsa është shkrirë edhe Domosdova.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"