Kampionati nën shenjën e Skënderbeut…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2018 | 22:22

Kampionati nën shenjën e Skënderbeut…

 BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Ditë më parë shkrova: “Kampionati nën shenjën e Partizanit 2018”. Tash më duhet ta titulloj: “Kampionati nën shenjën e Skënderbeut”. Kështu ndërrojnë këto punë. Dhe pikërisht këtu qëndron bukuria e një kampionati të futbollit: te ndërrimet, përmbysjet, befasitë… E vërteta është se fitorja 2- 0 e Skënderbeut ndaj Partizanit, qe spektakolare. Në radhë të parë për spektakolaritetin e golave të Muzakës e Bregut. Mandej për maturinë taktike të korçarëve, deri aty saqë gjatë gjithë lojës, duke forcuar mbrojtjen, ata menduan po me maturi për sulmin. U tha se shfrytëzuan rastet. Mirëpo, kjo është shprehja më e konsumuar në gazetarinë sportive. Skënderbeu nuk i shfrytëzoi rastet, i krijoi rastet. Kjo ndeshje pasuroi paksa këtë kampionat të varfër. Për çudi edhe në etikë apo sjellje lojtarësh e tifozësh.

Edhe pse një spot publicitar i gjithë këtyre ditëve pararendëse, thuajse qe i frikshëm, arrogant e me erë “lufte” deri aty sa s’ka ku shkon më. Mashtrohet ai që mendon se me britma publicitare “luftarake” kësisoj, mund t’i thërrasë spektatorët në ndeshje. Ndërkohë që na mbetet që t’ua ndryshojmë mendjen edhe atyre pak tifozëve që zhvishen lakuriq në tribuna, duke cenuar mu dekorin civilizues, qytetar, europian, çka një ndeshje futbolli të fal. U kthye kështu Skënderbeu i Korçës, skuadra, e cila në 8 vjetët e fundit ka fituar plot 7 Kampionate të Shqipërisë – rekord absolut në krejt historinë tonë. Të hënën në mbrëmje aspak papritmas, ai tha se kërkon titullin e 8-të brenda 9 vjetëve. Ajo që të bën përshtypje është se ndonëse klubi korçar gjatë gjithë kohëve të fundit përjeton situata të pakëndshme (përjashtim prej kupave të Europës, folje e përfolje, “fakte” dhe “jo fakte”), ai nuk dorëzohet. Ky është rasti i tretë në historinë e Kampionatit të Shqipërisë, që një skuadër kampione, mbasi goditet keqas prej faktorëve të jashtëm, ajo nuk dorëzohet. Rasti i parë i përket 17 Nëntorit (SK Tirana) më 1967, së cilës ia rrëmbyen padrejtësisht titullin e siguruar të Kampionit, po ajo prapë vazhdoi e shkoi te dy tituj të paharrueshëm radhazi (1968 e 1970). Rasti i dytë i përket Vllaznisë së Shkodrës 1972, që për “faje” të paqena të volejbollit, shteti e përjashtoi nga pjesëmarrja në Europë, e ajo nuk iu nda titujve e nëntitujve të Kampionit. Duke iu kthyer së sotmes skënderbejane, interesante është se në këtë 2018-’19, skuadra korçare drejtohet nga një trajner (deri para pak muajve lojtar) me emrin Orges Shehi, i cili është i vetmi që si lojtar i ka fituar, pra, të 7 këto kampionate. Po të fitojë edhe të 8-in, ai do të bëhet i pari trajner në historinë e Shqipërisë, i cili ia arrin që menjëherë, në vitin pasardhës të ndarjes nga futbolli i luajtur, arrin të fitojë një titull kampioni si trajner.

Dhe nga ana tjetër, ai do të bëhet i vetmi portier, i cili si trajner fiton një Kampionat të Shqipërisë. Sigurisht, është tepër shpejt për t’i parashikuar të gjithë këto rekorde korçare, kur dihet se Kampionati ka edhe plot 26 javë. Ndonëse këto “rekorde” janë fort tërheqëse. Pa harruar ndërkaq, një tjetër: që Skënderbeu i ka fituar 7 kampionatet, duke aktivizuar plot 91 futbollistë! Ndërkohë që, në kampionatin që shkoi, e fitoi titullin e kampionit me plot 17 lojtarë të herës së parë nën fanellën e tij! Mund të jenë rekorde botërore! Pa harruar mandej, faktin më të fundit që na thotë se në këto 10 javë të kampionatit të ri, Skënderbeu kryesues ka aktivizuar bukur 8 lojtarë po të herës së parë në fanellën e tij: Gripshi, Ajzeraj, Bregu, Oto Xhon, Fili, Guedj, Hoxhaj, Guindo! Kësisoji, nëse fiton titullin e 8-të në 9 vjet radhazi, ai do të kalojë numrin e mbi 100 lojtarëve kampionë “korçarë” (në thonjëza, sepse shumica nuk janë korçarë). Një skuadër që themelon mbi 100 kampionë të një shteti në vetëm 9 vjet, gjithashtu ka mundësi të përbëjë, të paktën, një lloj rekordi europian. E pra, mos të gëzohet aq fort për këtë rekord – sepse nuk është aq fort i bukur, kur mendon gjithë këtë paqëndrueshmëri përbërjeje, ku për fatin “jo të mirë” shumica është joautoktone. Ndonëse duket që ai nuk do t’ia dijë fort për këtë “pakkorçarësi”, përderisa me këtë paqëndrueshmëri është bërë kampioni më shumëvjeçar radhazi në historinë e Shqipërisë.

Aq më tepër që për këtë dukuri, nuk do t’ia dijë as Federata Shqiptare e Futbollit, e cila deri më sot as nuk dimë ta ketë përmendë apo ta ketë trajtuar e zbërthyer për së mbari artikullin 44 të UEFA-s që përcakton një përparësi të veçantë të aktivizimit të lojtarëve të formuar në klub, teksa i ka hapur kufijtë për një numër absurd të lojtarëve të huaj, shumica të rangut mesatar. Dhe kështu, në gjithë këtë “historizëm” të këtij editoriali, teksa arkivi i freskët na thotë se Skënderbeu ka kryesuar 6 nga 10 javët e luajtura, duhet të pranojmë se kandidatura e tij për titullin 2019 është tejet e fuqishme. Do t’i duhet të llogarisë gjithnjë ndjekjen e një Partizani, i cili e la fushën e stadiumit të jo shumë spektatorëve që mban emrin e ndritur të Selman Stërmasit, duke iu blatuar duartrokitje tifozëve të tij – gjest i etikës moderne, europiane të futbollit, duke dashtë t’i bindë se futbolli sa ka fitore, po aq mund të ketë edhe humbje. Dihet, gara vazhdon. Aq më tepër që largësia prej 1 pike të vetme është mikroskopike. E, ndoshta ajo që nuk i lë fort të qetë as Skënderbeun dhe as Partizanin, mund të jetë KF Kukësi i Armando Cungut – pjesë e denjë e treshes Skënderbe-Partizan-Kukës – e pandashmja e 3-4 kampionateve të fundit. A ka diçka tjetër të veçantë për të thënë mbas javës 10? Ndoshta është zbehtësia e përpjekjeve apo e dëshirave të treshes së mesme Laç-VlorëDurrës.

Ndërkohë që ecurinë dramatike të kryesuar prej Sportklub Tiranës – për tek e cila është shpejt për të besuar se është shndërruar në skuadër e Kategorisë së Dytë – nuk mund ta marrim me mend sot se çka mund t’i shtojë Kampionatit. Këtij Kampionati të krejt pak golave: vetëm 1.86 për ndeshje, tejet të varfër në gjeografi, pa shumë ritëm në cilësi, gjithnjë thuajse i braktisur prej spektatorëve. Si të thuash, i pazëshëm në tingëllimën e fuqishme çka një kampionat futbolli mund të përhapë në jetën sportive të një shteti europian. Ndërkaq, duke hedhur vështrimin në një kamp tjetër, atë të Kategorisë së Dytë (pra kurrsesi e Parë) me andje shohim që në të dy grupet kryesojnë skuadrat e qytetit (jo e fshatit) të Shkodrës dhe ajo e qytetit të Kavajës. Sikur të mbërrinin në kampionatin e ardhshëm kombëtar!… Janë viktima kryesuese të atij organizimi të pak skuadrave, vetëm 10, organizim shpërfillës që i çoi në kategorinë e ultë. Në fund të fundit, mirë e kanë. Ashtu si SK Tirana vitin që shkoi, si Dinamo, Berati e Elbasani – e ky renditet i fundit në Kategorinë e Dytë! Asnjëherë nuk e kanë kundërshtuar me forcë Kampionatin me vetëm 10 skuadra, duke iu dorëzuar FSHF-së së sotme – një ndër më sundimtaret që ka njohur futbolli në Shqipëri, për derisa ndaj jo pak organizimeve të papranueshme të saj, askush nuk bëzan, askush nuk guxon ta kundërshtojë. Dhe çuditërisht përherë e mbështetur prej një pjese jo pak të nënshtruar të gazetarisë pranë saj…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"