“E vështirë të largohesha nga Shkodra”, Ardit Krymi: Qëllimi im është të shkoj sa më larg në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2022 | 16:52

“E vështirë të largohesha nga Shkodra”, Ardit Krymi: Qëllimi im është të shkoj sa më larg në Champions

Ardit Krymi është prezantuar zyrtarisht te kampionët e Bjellorusisë, Shaktjor Soligorsk. Mesfushori shkodran do të debutojë me ekipin e ri në turin e parë të Ligës së Kampioneve, pikërisht ndaj Mariborit më 6 korrik. Krymi ka folur dje për faqen zyrtare të Shaktjorit, duke treguar arsyen pse zgjodhi bjellorusët dhe eksperiencën që ka pasur te Vllaznia.

ardit krymi

“Më kanë pritur shumë mirë, duke filluar nga lojtarët, drejtuesit dhe pjesa tjetër e stafit të klubit. Deri tani gjithçka është thjesht e mrekullueshme. Unë vij pas tetë vitesh në ekipin ku u rrita si futbollist. Vllaznia është vendlindja ime dhe familja ime. Shkodra është një qytet që jeton për futbollin.

Jam shumë i lumtur dhe krenar që po largohem si dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë”, ka thënë fillimisht Krymi. I ngacmuar nëse dikur në akademinë e Vllaznisë ka bërë ndonjë rol tjetër përveç mesfushorit, ai u shpreh: “Sa i përket pozicionit, çuditërisht, gjithmonë kam luajtur vetëm në qendër të mesfushës. Sigurisht, shokët e mi kanë ndryshuar disa herë pozicionet gjatë karrierës, por ky nuk është rasti im”.

Por, cili ishte motivimi kryesor për t’iu bashkuar kampionëve të Bjellorusisë? Mesfushori jep këtë përgjigje: “Ishte e vështirë për mua të largohesha nga Vllaznia, sepse aty kalova momentet më të mira të karrierës, por tani është koha për të provuar veten në një aventurë të re. Motivimi është se Shaktjor është një ekip kampion. Është interesante për mua të vij këtu dhe të jap maksimumin për këtë ekip. Qëllimi im është të fitoj gjithçka dhe të shkoj sa më larg në Ligën e Kampioneve”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"