E PLOTË/ Mensah hero me Luftëtarin, flet Gega: Ja pse e zëvendësoj shpesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 20:21

E PLOTË/ Mensah hero me Luftëtarin, flet Gega: Ja pse e zëvendësoj shpesh

Emanuel Mensah ishte një nga lojtarët më të mirë të Partizanit në ndeshjen ndaj Luftëtarit. Ganezi shënoi golin e parë të takimit, si dhe dha asistin për Malën te rasti i fitimit të penalltisë. Përpos kësaj paraqitjeje, Mensah nuk e mbylli të plotë ndeshjen, gjë e cila nuk ka ndodhur në asnjë nga 7 takimet që është aktivizuar me Partizanin në kampionat.

mensahh

Në minutën e 67-të, Mensah ia la vendin Kalarit, zëvendësim i cili solli disa zhvendosje në rreshtimin e skuadrës. Trashi nga mbrojtës i majtë avancon përpara, ndërsa Mala nga krahët hyn në brendësi, duke luajtur si një sulmues i dytë pas shpinës së Bardhit. Tashmë është bërë e udhës që pas zëvendësimit 24-vjeçari dhe trajneri Gega të diskutojnë në pistë. Në momentin që tabela elektronike tregoi numrin 90, Mensah nuk e fshehu habinë e zëvendësimit, pasi ai nuk kishte asnjë dëmtim, por as nuk e kishte kërkuar. Edhe nga tribuna qendrore mbetën të habitur nga ky vendim i trajnerit të Partizanit.

Gjithsesi, Mensah doli nga fusha nën duartrokitjet e tifozëve, të cilat ai i meritonte dhe më pas i dha dorën trajnerit, ku edhe folën për disa çaste. Pas ndeshjes, trajneri Skënder Gega u pyet nga “Panorama Sport” në lidhje me zëvendësimin e sulmuesit ganez.

Pyetjes se a ka ndonjë arsye pse e zëvendësuat Mensah, ndonëse ishte njeri i ndeshjes ndaj Luftëtarit, trajneri Gega u shpreh: “Patjetër që e ka një arsye. Çdo gjë e ka një arsye. Mensah ka vepruar jashtëzakonisht mirë, së bashku me Bardhin. Në momentin që nuk është 100 për qind, ekipi ka nevojë për një rifreskim. Kjo ishte ideja e zëvendësimit të Mensah, ku në lojë futa një mesfushor. Jo çdo ndërrim i joni mund të jetë absolut, 100 për qind perfekt. Por kemi 25 veta dhe janë 36 ndeshje për t’u luajtur, ndaj mundohemi që t’u japim të gjithëve pjesën e tyre”.

PAKËNAQËSITË- Partizani komandon me meritë Superioren, por pas ndeshjes me Luftëtarin jo të gjithë lojtarët u larguan të qeshur nga stadiumi. Përveç Trashit, që u largua në mënyrë demonstrative, për shkaqe që nuk janë bërë të ditura, edhe disa lojtarë të tjerë u larguan kokulur dhe të mërzitur.

Pa dyshim këtu bënin pjesë ata që nuk u aktivizuan. Është thënë se harmonia dhe funksionimi si një familje është çelësi i suksesit të Partizanit. Nisur nga këto “fytyra të zymta”, në fund trajneri Gega u pyet se a vazhdon ekipi të jetë në harmoni të plotë? Sipas trajnerit, gjithçka është në rregull. “Ekipi ka harmoni të plotë. Sigurisht që ka lodhjet dhe presionet e veta, gjithsesi çdo gjë është në rregull”, u shpreh trajneri i të kuqve.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"