“E njoh shumë mirë ish-skuadrën, Zabicer do të na forcojë”, Nagelsman, kundër së shkuarës Lajpcig: Fiton Bajerni!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 10:26

“E njoh shumë mirë ish-skuadrën, Zabicer do të na forcojë”, Nagelsman, kundër së shkuarës Lajpcig: Fiton Bajerni!

Më në fund Bundesliga! Kampionati gjerman do të luajë këtë fundjavë ndeshjet e katërta. Sytë do të jenë në Lajpcig, aty ku Julian Nagelsman do të ndeshet kundër ish-skuadrës së tij, këtë herë si trajner i Bajernit. Kampionët në fuqi do të kenë një sfidë jo të lehtë përballë një skuadre që në sezonet e fundit ka bërë mirë në kampionat.

Nagelsman

Si është gjendja e lojtarëve të ardhur nga kombëtarja?

Është e qetë, edhe pse do të doja që rruga të kishte qenë më e qetë për ta, por nuk mund të bëjmë asgjë kundër problemeve teknike në avion. Lojtarët që kanë qenë të lodhur janë trajtuar me fizioterapistë.

Keni marrë këshilla nga Zabiceri për të mundur Lajpcigun?

Nuk jam nga ata trajnerë që shkoj te lojtarët dhe u them të më tregojnë gjithçka. Sigurisht që kundërshtari nuk është i panjohur për të dy ne. Njoh shumë lojtarë aty dhe e di cilat janë pikat e forta dhe të dobëta. Skuadra që merret me analizimin e kundërshtarit ka bërë një punë të mirë pasi Lajpcigu në këtë sezon është ndryshe dhe në fushë do të jetë një skuadër tjetër nga ajo imja. Ato që na tha Marsel nuk është se tronditën botën apo nuk i dinim (qesh).

Janë të lodhur lojtarët?

Kjo do të shihet nesër (sot) gjatë ndeshjes dhe pas. Sigurisht që disa prej tyre janë të dëmtuar dhe disa jashtë forme, por kështu ndihen të gjithë, nuk jemi vetëm ne. Kombëtaret ishin të lodhshme për të gjithë, por ato janë të rëndësishme për të gjithë ne, kështu që duhen marrë shumë seriozisht.

Çfarë ndeshjeje prisni në Lajpcig?

Lajpcigu ka një skuadër me shumë lojtarë cilësorë, një staf të mirë që e drejton dhe një tifozëri krenare për skuadrën e saj. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe për t’i mundur na duhet të shpenzojmë shumë energji.

Si i keni përjetuar ndeshjet e kombëtares, ku disa nga lojtarët e Bajernit kanë qenë protagonistë?

Jam një tifoz i Gjermanisë, më vjen mirë që Flik e nisi mbarë. Kisha shumë pak dyshime për këtë gjë. Gnabri dhe Sane kanë bërë një punë fantastike. Kjo është diçka pozitive për ne si klub pasi lojtarët janë rikthyer me një buzëqeshje të madhe në fytyrë. Shpresoj që të dy (Sane dhe Gnabri) të vazhdojnë të ruajnë këtë formë edhe me ne.

Si ju duket propozimi për një Botëror çdo dy vite?

Nuk jam një simpatizant i kësaj ideje. Sezoni është i ngjeshur me ndeshje kështu siç është, nëse do të kishim një shtim të ndeshjeve do të ishte vrastare për lojtarët. Kështu do të kishim një turne jocilësor pasi do të ishte e pamundur për të luajtur në nivele të larta për gati 40 ndeshje në vit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"