“E nisëm mbarë”, rrëfehet mbrojtësi Bremer: Juvja është maksimumi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 23:22

“E nisëm mbarë”, rrëfehet mbrojtësi Bremer: Juvja është maksimumi

Nëse nuk ishte më i miri në fushë kjo ndodhi sepse shënuan Di Maria dhe Vlahoviçi, megjithatë paraqitja e Gleison Bremerit ndaj Sasuolos ishte për kornizë.

BREMER

Mbrojtësi ka dhënë një intervistë për “Sportmediaset”, duke konfirmuar ndjesitë e mirë që u perceptuan nga debutimi sezonal me fanellën e re në një ndeshje zyrtare.

Si do ta vlerësonit takimin e parë në “Allianz”?

Nuk është normale që të kemi vështirësi, megjithatë vlerat e Sasuolos dihen. Duhet të kishim pasur pak më shumë kujdes në fillimin e ndeshjes, por ka rëndësi që nuk pësuam dhe fituam. Personalisht po mundohem të mësoj nga Bonuçi dhe nga videot e Kielinit. Skuadra është në rritje, por normal që ka nevojë për punë në mënyrë që të jemi sa më afër perfeksionit.

Ju luajtët shumë mirë. Kritikat bënë punë?

Kritikat duhen dëgjuar. Po punoj për taktikën sepse nuk jam mësuar me këtë modul. Mendoj se u paraqita mirë, por sigurisht që mund të përmirësohem. Më vjen mirë që e nisëm mbarë sepse këto tri pikë na shtojnë besimin për ndeshjet e radhës.

Mendoni se nuk bëtë asnjë gabim?

Nuk kam parë asgjë ende, por me siguri që në analizën taktike do të kuptoj diçka më shumë. Sigurisht, fakti që nuk pësuam gol është një sinjal pozitiv në lidhje me paraqitjen e ekipit në aspektin mbrojtës.

Jeni i lumtur që zgjodhët Juventusin?

Me menaxherin tim flisja çdo ditë. E dija që do të largohesha nga Torino, por nuk dija asgjë për destinacionin. Juvja është vendi i duhur dhe ishte në qëllimet e mia. Me Alegrin ndihem shumë mirë dhe fakti që kam këtë fanellë do të thotë që jam në një ekip me nivel shumë të lartë.

Çfarë ju tha Alegri pas ndeshjes?

Asgjë të veçantë. Ai ka fituar shumë dhe prej tij mund të mësoj ende. Në nivel mentaliteti është i jashtëzakonshëm. Këtë aspekt e konsideron të rëndësishëm sepse me ata sulmues që kemi e dimë që herë a vonë do të shënojmë.

Mendoni për Botërorin në Katar?

Sigurisht që po. Shpresa vdes e fundit dhe unë mundem vetëm që të luaj mirë në mënyrë që të arrij të grumbullohem me vendin tim. Uroj të mos dëmtohem dhe të kem vazhdimësinë që pata në sezonin e kaluar me Torinon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"