“E merituam fitoren ndaj Partizanit”, Gilman Lika: Ja kush m’i ndalon penalltitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2020 | 14:57

“E merituam fitoren ndaj Partizanit”, Gilman Lika: Ja kush m’i ndalon penalltitë

Gilman Lika është kthyer në njeriun gol te Vllaznia. Pas 26 javësh kampionat, kapiteni kuqeblu rezulton kryegolashënuesi i skuadrës me 7 gola. Tre prej tyre i ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë, ashtu siç bëri edhe ndaj Partizanit, duke i dhënë fitoren Vllaznisë. Mirëpo, fakti që ai vazhdon të marrë përsipër ekzekutimin e 11- metërshave, nuk duket se përjetohet mirë në familjen e tij. Është pikërisht e ëma e Gilmanit, që e përjeton mes shumë emocionesh këtë moment, madje duke i kërkuar të birit që të heqë dorë nga penalltitë.gilman lika

Megjithatë, mesfushori është i vendosur për të gjuajtur, pasi ka besim maksimal se shënon. Në intervistën për “Panorama Sport”, Lika tregon për këtë, ndërsa edhe për fitoren me të kuqtë, ndeshjen e së shtunës në Vlorë, si dhe momentin që po kalojnë kuqeblutë në këtë kampionat.

Gilman, një fitore e rëndësishme ndaj Partizanit. Si e përjetoi ekipi në dhomat e zhveshjes?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne dhe këtë nuk mund ta mohojmë. Normalisht që jemi shumë të gëzuar që e kaluam me sukses këtë ndeshje. Të gjithë pa asnjë përjashtim kemi festuar për këtë fitore, sepse jemi në një moment delikat të sezonit dhe na duhej shumë.

Është kjo kthesa e vërtetë e Vllaznisë?

Në dy ndeshjet e fundit ndaj Kukësit dhe Partizanit, ekipi është paraqitur shumë mirë. Kjo më gëzon, sepse ishin dy ndeshje të vështira dhe morëm 4 pikë. Kemi luajtur mjaft mirë ndaj dy skuadrave më të forta të Superiores.Vllaznia festa e golit Gilman Lika

Një gol me vlerë trepikësh, ju gëzuat golit apo më shumë fitores?

E para ishin tri pikët, pastaj edhe goli normal që më gëzoi shumë. Ishte një fitore e merituar, që na duhej medoemos.

Për cilin shkoi ky gol, kishte ndonjë dedikim të veçantë pas atij festimi?

Nëna ime i përjeton shumë ndeshjet, sidomos kur gjuaj penalltitë. Ajo ka shkuar deri aty sa më ka thanë të mos i gjuaj më penalltitë. Kështu që një ditë pas urimit për 8 marsin, i bëra edhe një tjetër dhuratë, këtë herë me gol. Ajo e meriton këtë dedikim.

Me sa duket, ekipi e vërtetoi se vuan presionin e tifozëve dhe në një stadium të boshatisur fitoi…?

E kam thënë një herë arsyen e kësaj. Futbolli pa tifozë nuk luhet. Shumë herë i kam bërë thirrje që të vijnë e të na mbështesin, sepse kemi tifozët më të shumtë dhe më të mirë në të gjithë Shqipërinë. Ato janë një mbështetje e madhe për ne.

ADMIR URUÇI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"