“E dua me forcë këtë trofe”, Gvozdenoviç shtyn firmën: Besa, ishte një njollë… e zezë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2023 | 20:34

“E dua me forcë këtë trofe”, Gvozdenoviç shtyn firmën: Besa, ishte një njollë… e zezë

Skënderbeu është 90 minuta larg titullit. Edhe pse kanë siguruar ngjitjen dy javë para mbylljes së sezonit, korçarët kanë edhe një mision të fundit. Janë të vendosur për ta mbyllur si kampionë këtë rrugëtim në Kategorinë e Parë.

gvozdenovic

Me Dinamon që është vetëm një pikë larg dhe pret që të përfitojë, gabimet janë të ndaluara. Ivan Gvozdenoviçit i është bërë “fiksim” ky trofe, ndaj edhe ka shtuar kërkesën e llogarisë. Ai do që në Lushnjë të marrin trepikëshin dhe ta kthejnë në festë.

I zhgënjyer nga paraqitja me Besën, trajneri u bën thirrje të tijve që të reagojnë. Pret që të harrohet ajo paraqitje e shëmtuar dhe të gjitha energjitë t’i përqendrojnë te ndeshja finale e këtij kampionati.

PARALAJMËRIMI PËR LUSHNJËN

Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, serbi ka një paralajmërim për ekipin. Edhe pse në letër duket ndeshje e lehtë, tekniku mendon ndryshe. Me të madhe kërkon që të mos shohin pozitën e kundërshtarit dhe të mos ndikohet nga të tretët.

“Kishim kohë në dispozicion për të analizuar me kujdes atë që ndodhi në ndeshjen ndaj Besës në shtëpi. Për mua ajo mbetet një njollë e zezë, për nga mënyra se si e interpretuam dhe mendjemadhësinë që treguam duke ëndërruar titullin. Ajo humbje, do të na bëhet mësim dhe jo vetëm për takimin e fundit ndaj Lushnjës, por edhe për ato që do të kemi në Superiore. Kemi mbyllur një javë përgatitjesh intensive dhe tani po i japim dorën e fundit për transfertën finale të Kategorisë së Parë.

Djemtë i kam parë të përqendruar dhe madje u kam kërkuar që të mos ndikohemi aspak në fushë nga pozita e kundërshtarit apo edhe nga rezultatet e të tretëve. Të bëjmë Skënderbeun në fushë dhe të mendojmë vetëm tri pikët. Ne luftojmë për këtë fanellë që kemi veshur dhe duhet të tregojmë respekt. Le t’ia japim Korçës këtë titull, pasi tifozët e meritojnë”, theksoi fillimisht Ivan Gvozdenoviç.

RINOVIMI I KONTRATËS

I pyetur për rinovimin e kontratës dhe planet për sezonin e ri, trajneri serb nuk ka dashur të nxitohet. Ai merr kohën e nevojshme për të folur dhe vendosur.

“Nuk është momenti të flasim për rinovim, kur ende nuk kemi mbyllur sezonin dhe nuk kemi përmbushur objektivat sezonalë. Sigurisht që dëshira dhe fryma është pozitive për të vijuar bashkëpunimin, por kemi kohë për të folur dhe do të bëjmë diçka të tillë më vonë në një moment të dytë.

Nuk dua të mohoj asgjë, ne kemi nisur nga puna për të projektuar ekipin për sezonin e ri, por më besoni, nuk është momenti të flas për këtë. Dua të jem i përqendruar te 90- minutëshi me Lushnjën. E dua me forcë atë trofe, më besoni”, përfundoi Gvozdenoviç.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"