EKSKLUZIVE / “E dimë se çfarë mund të bëjë Mala”, Josa mirëpret mesfushorin dhe paralajmëron: Kujdes me deklaratat për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2022 | 9:55


EKSKLUZIVE / “E dimë se çfarë mund të bëjë Mala”, Josa mirëpret mesfushorin dhe paralajmëron: Kujdes me deklaratat për titull

Trajneri Mirel Josa mirëpret mesfushorin Esat Mala te Vllaznia, por gjithsesi tregohet i kujdesshëm kur pyetet nga “Panorama Sport”. Në bisedën pas miqësores me Dinamon, ai theksoi se sulmuesi Aralica është nisur drejt Bullgarisë për të kontrolluar dëmtimin që ka pësuar.

josa

“Vinim pas një ngarkese, por normal që më vlejti kjo ndeshje. Kemi dhe një tjetër miqësore, për t’u përgatitur më pas për ndeshjen e parë të kampionatit. Të shikojmë për problemet që kemi, mund të presim ndonjë mesfushor ose sulmues, por duhet të kemi parasysh që ngarkesa jonë me lojtarë të huaj është e madhe dhe këtu duhet të kemi pak kujdes”, ka thënë fillimisht Josa, për të folur më pas për Malën. “Është lojtar që e njeh kampionatin shqiptar. Ne e dimë se çfarë mund të bëjë Mala, kështu që ia lëmë kohës se çfarë do të vendoset. Në këtë moment nuk mund të them më tepër, pasi nuk ka firmosur”, theksoi trajneri.

DËMTIMI – Sulmuesi Ante Aralica është dëmtuar dhe nuk ishte i pranishëm në miqësoren e djeshme. Josa bëri këtë sqarim. “Aralica është ankuar për një dhimbje dhe ne e kemi nisur te një doktor në Bullgari të bëjë disa injeksione dhe për një javë është këtu. Mund të themi edhe për 2-3 ditë, sa të kthehemi ne në Shkodër dhe do të bashkohet me ekipin. Varet se çfarë gjendje do të ketë. Unë nuk dua të merrem shumë me fjalë, problemi është që do të kemi dhe ndeshjen që do të luajmë në Korçë ditën e diel dhe pastaj do të vëmë të gjitha pikat mbi ‘i’ aty ku ne mendojmë”, tha ai.

KAMPIONATI – Në fund, trajneri i Vllaznisë foli edhe për nisjen e kampionatit dhe synimin madhor të klubit. “Nuk i njohim shumë mirë rivalët tanë apo mënyrën se si luajnë ata, por unë them që me kalimin e kohës do të mendojmë dhe për rivalët. Nuk mund të themi që tani deri ku mund të shkojë kjo Vllazni, sepse këtu në Shqipëri në përgjithësi fillon kampionati dhe janë 4-5 skuadra që duan të dalin kampione. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm në këtë drejtim, ne duhet të shohim punën tonë. Çfarë probleme që na kanë dalë gjatë këtyre muajve që jemi stërvitur do të mundohemi që t’i plotësojmë për skuadrën”, mbylli Josa.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL