Dy strategët kthehen të përballen pas 18 vitesh/ “El Clasico” është edhe duel trajnerësh, Kuman nuk e mund Ançelotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 22:18


Dy strategët kthehen të përballen pas 18 vitesh/ “El Clasico” është edhe duel trajnerësh, Kuman nuk e mund Ançelotin

“Klasikja” e futbollit spanjoll mes Barcelonës dhe Realit të Madridit është nga ato sfida që luhet nga të gjithë protagonistët, që nga punëtori i fushës e deri te presidenti. Por fjalën kryesore e kanë lojtarët në fushë dhe dy strategët në pankina. Ronald Kuman dhe Karlo Ançeloti kthehen të përballen mes tyre pas shumë vitesh.

anceloti kuman 1

Bëhet fjalë për dy trajnerë të ndryshëm, dy stile të ndryshme, karriera të ndryshme. Natyrisht që më i favorizuar në letër është Karlo Ançeloti, një trajner që në karrierën e tij ka drejtuar disa prej klubeve më të mëdhenj në botë dhe ka fituar gjithçka që një trajner klubesh mund të fitojë.

Kuman daton fillesat e tij si trajner me Vitreshen në vitin 2000 për t’u zhvendosur më pas tek Ajaksi një vit më vonë, teksa në rrugën e tij do të gjente rivalin e së dielës, Karlo Ançelotin që drejtonte një makineri ideale si Milani. Dy përballje në dy sezone radhazi gjatë të cilave Kuman nuk arriti ta mposhtte asnjëherë Ançelotin.

Që nga koha kur holandezi drejtonte Ajaksin dhe italiani ishte në krye të Milanit, dy strategët nuk janë përballur më mes tyre. E radhës do të jetë të dielën në klasiken e futbollit spanjoll. Edhe këtu ka një ndryshim mes të dyve. Për Ronald Kumanin kjo do të jetë “Klasikja” e parë si trajner.

KUMAN NUK DI TË FITOJË

Kuman nuk e ka mundur asnjëherë Karlo Ançelotin si trajner. Por nuk e ka bërë këtë gjë as si lojtar. Në fakt bëhet fjalë vetëm për një përballje mes tyre kur ata vetë ishin protagonistë në fushë si lojtarë e jo si trajnerë. Bëhet fjalë për një përballje mes Holandës dhe Italisë në shkurt 1990, që u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0.

Në katër takimet në Champions, maksimumi që ka arritur Kuman është një barazim në ndeshjen e vajtjes në çerekfinalet e sezonit 2002- 2003 në Amsterdam.

Sepse në Milano, kuqezinjtë e Ançelotit fitonin 3-2 duke shkuar përpara. Një sezon më vonë, Ajaksi e Milani përballeshin mes tyre në fazën në grupe, që ishte disi më ndryshe nga formati aktual i Ligës së Kampioneve. Djemtë e Ançelotit fitonin 1-0 në “Amsterdam Arena” me një gol të Shevçenkos. Në ndeshjen e dytë në Milano, kuqezinjtë fitonin po 1-0 me protagonist Inzagin, ndeshje që mbahet mend për kartonin e kuq të Gatuzos pas një shuplake ndaj Ibrahimoviçit.

TROFETË

Nëse në përballjet direkte Kuman nuk e ka mundur asnjëherë Ançelotin, kur flasim për trofetë diferencat janë të frikshme. Kuman ka fituar si trajner 3 herë kampionatin holandez (Ajaksi 2 herë, PSV një herë), 3 kupa, një në Holandë me Ajaksin dhe dy në Spanjë, një me Valencian dhe një tjetër me Barcelonën, dy superkupa të Holandës dhe një në Portugali me Benfikën. Ançeloti, i cili në fakt ka dhe një karrierë shumë më të gjatë si trajner është një nga më të titulluarit në botë.

Ai është shpallur kampion në Itali me Milanin, në Angli me Çelsin, në Francë me PSGnë, me Bajernin në Gjermani. Ndër trofetë e tjerë numërohen 3 Champions me Milanin (2) dhe Realin (1). E vetmja gjë e përbashkët është se të dy aspirojnë të fitojnë kampionatin spanjoll.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI