Dy gola për 5 minuta, Besëlidhja përmbys Veleçikun me dopietën e Hoxhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2020 | 18:19

Dy gola për 5 minuta, Besëlidhja përmbys Veleçikun me dopietën e Hoxhës

Në miqësoren e tretë me Veleçikun, Besëlidhja ka fituar 2-1 me përmbysje dhe jo pa vështirësi në stadiumin e saj. Loja nisi e shpejtë nga të dyja skuadrat, që u vunë menjëherë në kërkim të golit. Rrezikoi e para Besëlidhja me Edmond Hoxhën, i cili pas topit të Hajdarit, gjuajti jashtë.

Beselidhja

Më pas Hajdari krosoi në zonë për Gegën, por një mbrojtës mik e largoi topin me kokë në këndore. Në të 14-ën Veleçiku gjeti golin e avantazhit. Një goditje dënimi u ekzekutua nga D.Ujka, topi shkoi në zonën lezhjane, ku A.Ujka gjuajti saktë dhe mposhti Vukashinoviçin. Veleçiku rrezikoi përsëri me Zarën, që gjuajti nga larg, por priti portieri serb i Besëlidhjes.

Skuadra e trajnerit Bardhi kishte një mundësi të mirë me Hoxhën, që e kontrolloi topin në zonë, por në çastet e fundit humbi ekuilibrin. Më pas, Gega u fut në zonën koplikase dhe gjuajti menjëherë, por topi kaloi ngjitur me pingulen e djathtë të Bajrit. Edhe fraksioni i dytë nisi mjaft i shpejtë dhe nën kontrollin e Besëlidhjes.

Në të 47-ën dhe të 50-ën skuadra lezhjane shpërdoroi dy raste me A.Dibrën dhe Hoxhën. Në të 77-ën, Shaba u fut rrezikshëm në zonën e Veleçikut dhe u pengua, duke fituar një penallti. Në të 78- ën, pas ekzekutimit të penalltisë nga Hoxha, Besëlidhja barazoi rezultatin në 1-1. Në të 83-ën dyfishoi ekipi vendës po me kavajasin Hoxhën, pas një aksioni nga qendra. Me rezultatin 2-1 u mbyll i gjithë takimi.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"