Dy ganezët vijnë sot në Fier, Sota: Tashmë jemi të kompletuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2020 | 12:10

Dy ganezët vijnë sot në Fier, Sota: Tashmë jemi të kompletuar

Pasi luajti në dy ndeshjet miqësore me Shpresat, Eljon Sota është kthyer në “bazë”. Apolonisë i kishte munguar kapiteni dhe kjo u pa edhe në ndeshjen me Memaliajn, ku ai shënoi një nga gjashtë golat. Qendërmbrojtësi është më i etur se kurrë për futboll dhe lajmet që vijnë për një fillim të shpejtë të kampionatit e kanë lumturuar edhe atë.

SKENDERBEU APOLONIA

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, 22-vjeçari shprehet: “Kemi punuar me përkushtim dhe seriozitet gjatë gjithë kohës. Angazhimi ynë ka qenë në nivele maksimale, sikurse edhe nga stafi teknik është punuar fort për të formatuar dhe konsoliduar skuadrën. Shoh dëshirë dhe ‘uri’ te grupi, pasi vajti kohë e gjatë që nuk luajmë ndeshje zyrtare dhe na ‘hanë këmbët’ për të zbritur në fushë. Kurdo që të nisë kampionati, Apolonia do të jetë e gatshme për ta nisur me këmbën e mbarë.

Me ardhjen e lojtarëve nga Gana, besoj se do të jemi edhe më të fortë dhe nuk do të jemi një skuadër me synime modeste. Kemi avantazhin që jemi grup i paprekur që nga sezoni i kaluar dhe prurjet besoj se do ta rritin konkurrencën dhe forcën tonë. Ne jemi optimistë se do të lëmë gjurmë pozitive në elitë”.

GJATA – Pas një sezoni të shkëlqyer me fierakët (me 16 gola të shënuar), Mario Gjata ka rënë në sy të selektorëve të kombëtareve të moshave dhe ditët e fundit ka marrë një ftesë për të qenë pjesë e ekipit U-20, të drejtuar nga Ilir Biturku. Kështu, pas Harizajt, E. Sotës, Mihanës dhe Mehmetit me U-23, qendërsulmuesi është talenti i radhës që bëhet pjesë e përfaqësueseve të moshave, duke dëshmuar edhe një herë punën e mirë që bëhet me të rinjtë në klubin fierak.

AGYARE DHE JEBOAH – Merr fund edhe pritja. Ganezët Benjamin Agyare dhe Kofi Jeboah mbërrijnë sot në orën 15:00 në Shqipëri. Ardhja e dy lojtarëve të tjerë plotëson organikën e skuadrës dhe rrit eksperiencën. Qendërmbrojtësi 26-vjeçar (Agyare) ka qenë pjesë e ekipit Heart of Oak në Premier Ligën ganeze, ndërsa mesfushori 25-vjeçar (Jeboah) në tri sezonet e fundit ka luajtur për Tadamon Sour, në Premier Ligën e Libanit.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"