Dy dëshirat e Shpëtim Duros: Fitore dhe gjyqtarë të huaj deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2017 | 10:17

Dy dëshirat e Shpëtim Duros: Fitore dhe gjyqtarë të huaj deri në fund

Shpëtim Duro kërkon vetëm tri pikët sot përballë Vllaznisë. Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri Duro e cilësoi ndeshje të vështirë, por shprehu bindjen se ekipi që drejton do të bëjë maksimumin për shkak se është në një moment të mirë edhe psikologjikisht.

“Unë kam thënë disa herë që të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për Flamurtarin në këtë moment dhe situatë që po kalojmë. Njëra nga këto takime është edhe ajo e radhës me Vllazninë, që është ndeshje shumë e rëndësishme për momentin që jemi. Por, sigurisht të gjitha ndeshjet edhe pas Vllaznisë do të jenë shumë të rëndësishme për Flamurtarin.

Situata në ekip është e mirë edhe në planin psikologjik. Kjo edhe për arsye se vijmë nga një fitore shumë e rëndësishme në transfertë përballë Luftëtarit. Unë them përsëri që ishte një fitore shumë e merituar. Në këtë aspekt thashë që psikologjikisht jemi mirë. Gjendja e skuadrës është pozitive. Por kemi një mungesë të rëndësishme, siç është Donjet Shkodra, që po kalonte një moment të mirë”, tha Duro.

Shpetim Duro

VLLAZNIA

Trajneri i Flamurtarit më pas analizoi edhe kundërshtarin e radhës. “Vllaznia është një skuadër që po kalon një moment shumë të mirë. Këtë e ka treguar edhe me ekipet që kryesojnë Superioren. Vllaznia është një skuadër jashtëzakonisht e organizuar. Ka futbollistë me mjaft përvojë dhe me eksperiencë. Mund të veçoj Bicin, Vrapin, Bakajn, lojtarë që janë shpallur kampionë, të alternuar me shumë futbollistë të tjerë të Vllaznisë. Ndeshja do vlerësim maksimal, akoma më tepër që Vllaznia në këtë sezon ka qenë dominuese ndaj Flamurtarit, pasi i ka fituar të tria përballjet. Kështu që vlerësimi ynë për këtë ndeshje është maksimal”, u shpreh tekniku kryeqytetas.

Flamurtari formacioni

ARBITRAT E HUAJ

Takimi Flamurtari-Vllaznia, që do të luhet në Vlorë, do të drejtohet nga gjyqtarë nga Luksemburgu. Trajneri Shpëtim Duro përshëndet këtë fakt, por thekson se të gjitha ndeshjet e mbetura duhet të gjykohen nga të huaj. “Ardhja e arbitrave të huaj në momente të veçanta për mua është pozitive. Ne si klub edhe z.Idrizi kemi kërkuar me insistim që në të gjitha ndeshjet të jenë arbitra të huaj. Por, nuk e di, është koincidencë apo rastësi, pasi dy herë që kanë ardhur arbitra të huaj, kanë drejtuar Flamurtarin.

Kjo nuk është diçka e keqe. Unë kam mendimin që arbitrat e huaj duhet të drejtojnë edhe shumë ndeshje të rëndësishme, që janë këtë javë. Akoma më shumë edhe kundërshtarët tanë direkt. Gjithmonë paragjykohen arbitrat shqiptarë, jo se nuk janë të aftë, por në ndeshje të veçanta, në këtë situatë që është kampionati ynë si për titullin kampion, ashtu edhe për mbijetesën, më mirë do të ishte që të ishin të huaj.

Shpresoj që Flamurtarin ta arbitrojnë edhe javës që vjen gjyqtarë të huaj, kur kemi ndeshje në transfertë. Këtë javë ka pasur ndeshje shumë të rëndësishme. Një nga përballjet më të rëndësishme është edhe Laçi me Skënderbeun. Korçarët luajnë për kampion, ndërsa Laçi për mbijetesë, kështu që unë e shikoj se edhe në këtë takim duhet të ishte një arbitër i huaj”, vijoi më tej trajneri i Flamurtarit.

Vllaznia formacioni

MUNGESA E TIFOZËVE

Ndeshja e sotme mes Flamurtarit dhe Vllaznisë do të jetë në “heshtje”. Fusha vlonjate është dënuar dhe ndeshja do të luhet pa tifozë. Për trajnerin Duro, sot do të ndihet shumë mungesa e tifozëve. “Tifozët na mungojnë shumë. Kanë qenë jashtëzakonisht mirë në të gjitha ndeshjet deri në momentin që kam ardhur unë. Prandaj luajtja pa tifozë nuk është pozitive për ne, por është një vendim që duhet ta pranojmë. Na mungojnë shumë patjetër”, përfundoi Duro.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"