Duro: Kam histori në Korçë, por dua të shkoj larg me Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2023 | 9:15

Duro: Kam histori në Korçë, por dua të shkoj larg me Egnatian

Egnatia do të luajë ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë në këtë tur ndaj Skënderbeut në Korçë. Përpara ndeshjes për “Panorama Sport” ka folur edhe trajneri i Egnatias Shpëtim Duro, i cili vlerëson maksimalisht korçarët dhe kërkon që ekipi i tij të shkojë sa më larg në këtë kompeticion.

DURO

Ndeshja e Kupës në turin e dytë ju vë përballë Skënderbeut. Çfarë objektivi ka Egnatia?

Pas ndeshjes së kampionatit jemi të përqendruar te Kupa. Përballë kemi Skënderbeun, që është historia e futbollit tonë në dekadën e fundit. Edhe unë kam qenë pjesë e kësaj skuadre. Ne do të respektojmë në maksimum këtë ekip, pavarësisht se sot luan në Kategorinë e Parë.

Në turin e parë Egnatia eliminoi Shkumbinin e Kategorisë së Dytë dhe tani luan ndaj Skënderbeut, si janë shanset për ta kaluar këtë tur?

Skënderbeu dhe Shkumbini janë krejt të ndryshëm. Korçarët janë një skuadër dhe qytet me shumë histori në futbollin shqiptar. Jam edhe unë pjesë e tyre, pasi kam fituar një kampionat aty si trajner. Ne kemi si objektiv që të kalojmë këtë tur dhe të shkojmë sa më larg në Kupë.

Do të ketë ndryshime në formacion në krahasim me takimin ndaj Erzenit?

Kupa ka tjetër specifikë. Na jep mundësinë duke qenë se kemi një organikë të pasur me lojtarë, të aktivizojmë ata që në këtë moment kanë formën e tyre më të mirë. Ndryshimet do të jenë sigurisht të vogla në një apo dy pozicione sipas skemës që ne luajmë.

Sulmuesi Duamena debutoi me Erzenin. A mundet të ndodhë kjo edhe me sulmuesin e ri Redi Kasa sot në Korçë?

E kemi ndjekur me vëmendje në stërvitje Redi Kasën dhe mundet ndoshta edhe ai të bëhet pjesë e kësaj ndeshjeje qoftë edhe si zëvendësues, sepse afron shpejt ndeshja e kampionatit në fundjavë ndaj Teutës në transfertë dhe duam ta kemi nën kontroll të plotë gjendjen e të gjithë lojtarëve.

Sa mund ta ndihmojnë afrimet e fundit skuadrën sipas jush?

Ata sapo kanë nënshkruar. Mendoj se do të na shërbejnë. Kampionati është i gjatë dhe sa më shumë lojtarë e alternativa të kemi, aq më mirë ndihem unë si trajner, skuadra vetë ashtu dhe sportdashësit tanë, që dihet se janë tashmë të shumtë dhe e duan ekipin.

Egnatia vjet u eliminua nga Laçi në çerekfinale me penallti, pritet më shumë këtë edicion të Kupës së Shqipërisë?

Patjetër, urojmë jo vetëm të përsëritet kjo gjë, por të shkojmë sigurisht sa më larg. Kupa ka ndeshje më pak dhe duke u përqendruar maksimalisht, gjithçka është e mundur.

ers

FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"