Duro: Kalendar skandaloz, fitorja ime më e madhe që publiku vlonjat i pëlqen lojtarët e rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2017 | 16:21

Duro: Kalendar skandaloz, fitorja ime më e madhe që publiku vlonjat i pëlqen lojtarët e rinj

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Supersport”, tha se rëndësia e vetme sot ishte fitorja e takimit. Ai gjithashtu u shpreh se fitorja e tij më e madhe deri tani është fakti që opinioni në Vlorë i mbështet lojtarët e rinj të ardhur në merkato.

duro

Fitorja me vështirësi në Lushnja

“Këto janë ndeshje shumë të vështira, unë e kam paralajmëruar para ndeshjes, që të gjithë mendojnë se fitorja është e sigurt, por s’ka fitore të sigurt. Të gjithë duhet ta kuptojnë që ne akoma s’kemi rikuperuar fizikisht sepse para dy ditësh luanim ndaj Skënderbeut. Bushiç pati një kontraktim, skuadra ishte e lodhur, kishim mundësi ta zgjidhnim ndeshjen në pjesën e parë por nuk ia dolëm dhe lodhja bëri të vetën në pjesën e dytë.

Edhe dalja e Bushiç që është një pikë referimi ndikoi. Por them që pjesën e dytë ne sërish ishim pranë portës kundërshtare, edhe pse mund të shënonte Sefa. E rëndësishme është fitorja, na jep jashtëzakonisht shumë moral për vazhdimësinë.”

Ulja në stol e Ardit Hoxhajt

“Ishte i detyrueshëm zëvendësimi i Arditit, nuk u aktivizua nga fillimi sepse ka qenë i ngarkuar nga ndeshjet e mëparshme. Bëra ndërrim në pjesën e dytë për të forcuar krahët me Arditin dhe Kamara.”

Varësia nga golat e Bushiç

“E kam thënë që Bushiç është pika kryesore në sulm. Si ai nuk janë dy në skuadër. Danilo nuk është lojtar i avancuar, po sulmues i dytë. I vetmi që është në skuadër sulmues kryesor është Bushiç. Kam kritikuar se ky kalendar është skandaloz, ndeshje për dy ditë  për ne dhe një kundërshtar që rri 15 ditë pushim.”

Vështirësia për të motivuar ekipin

“Kisha frikë nga kjo ndeshje, u thashë lojtarëve që qëllimi është të fitojmë këtë takim sepse skuadra nuk ishte e rikuperuar plotësisht. Opinioni mendon se fitorja këtu është e sigurt, por ne si trajnerë e dimë që s’ka siguri në futboll. Lushnja mundi Teutën këtu para dy javësh. Nuk kishte problem motivimi, por problem ngarkese dhe gjendjeje fizike.”

Ngjashmëria e Flamurtarit me Besën dhe Partizanin të ndërtuara nga fillimi

“Nëse do heq një paralelizëm, Besën e ndërtova por me lojtare të kampionatit shqiptar, ishin lojtarë që njiheshin nga opinioni dhe ishin të mirëpritur. Këtu në Vlorë është një miniaturë si Partizani sepse edhe ata i ndërtova me lojtarë që nuk njiheshin nga opinioni sportiv.

Ka patur kontestime në fillim, si aty si këtu, sepse ndryshova komplet skuadrën. Përgjegjësia e kësaj ishte e gjitha mbi mua, akoma më shumë në Vlorë që ka patur probleme këto vite. Klubi, presidenti, opinioni i ka mirëpritur dhe i pëlqen tani të gjithë këta futbollistë dhe kjo është fitorja ime më e madhe.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"