Duro e lojtarët nën presion, Kukësi e ka trenin e fundit në Lushnjë. Ja si pritet të rreshtohet ndaj Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 11:00

Duro e lojtarët nën presion, Kukësi e ka trenin e fundit në Lushnjë. Ja si pritet të rreshtohet ndaj Luftëtarit

Kukësi do të përbal let me Luftëtarin sot në orën 13:00 në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, në një ndeshje ku fitorja shikohet si detyrim për vetë situatën që po kalojnë verilindorët.

Shpetim Duro

Në tri takimet e fundit ekipi i drejtuar nga Shpëtim Duro ka marrë vetëm një pikë, prandaj dhe rikthimi te triumfi është domosdoshmëri. Skuadra është nën presionin e pikëve dhe në rast dështimi ndaj Luftëtarit, mund të ketë masa drastike, jo vetëm për stafin me në krye trajnerin, por edhe për lojtarët.

Presidenti Safet Gjici është zhgënjyer shumë nga rezultatet dhe i ka dërguar një mesazh të qartë trajnerit Duro dhe lojtarëve. Tashmë ai kërkon kthesën dhe nëse ajo nuk vjen, masat do të jenë të rënda. Kur nuk ka rezultate, natyrisht që ka trysni nga të gjitha anët, ndaj fitorja ndaj gjirokastritëve do të ishte si ilaç për Kukësin.

TRAJNERI – Momentin jo të mirë që ekipi po kalon në prag të kësaj ndeshjeje e pranon edhe vetë trajneri Duro. “Jemi në një situatë jopozitive, në krizë rezultatesh, ashtu edhe si shumë skuadra që po kalojnë një situatë të tillë. Kemi faktorë si dëmtime, kartonë dhe probleme shëndetësore, ashtu siç na ndodhën para Skënderbeut. Megjithatë, është detyrim fitorja me Luftëtarin, edhe pse sigurisht që nuk do të jetë e lehtë. Ne nuk jemi stabilizuar ende me një fushë tonën. Në këtë situatë do të luajmë në Lushnjë. Këto janë vështirësi që nuk i ka asnjë skuadër tjetër. Gjithsesi, nuk ka justifikime. Kemi një ndeshje jo të lehtë prej këtyre faktorëve, por jam i bindur se skuadra do të reagojë dhe do të fitojë. Kukësi është një skuadër që pretendon për lart dhe jemi nën presion. Kjo është diçka logjike, edhe presioni vjen nga këta objektiva, por duhet të dalim nga kjo situatë”, tha Duro.

TITULLARËT – Duro e ka të gjithë ekipin në dispozicion, madje është rikthyer edhe mesfushori Emiljano Musta. Prej disa ditësh 27- vjeçari ka marrë ngarkesë të plotë dhe është grumbulluar për të qenë pjesë e ekipit për sfidën e sotme. Sa i përket formacionit, në stërvitjen e fundit që u zhvillua dje paradite në kompleksin “Football Republic”, përzjeu kartat.

vv

Kjo vjen për shkak të vetë rëndësisë që ka kjo ndeshje për ecurinë, objektivat dhe ndoshta për vetë fatin e stafit teknik. Por, ndryshimet në formacion nuk do të jenë të mëdha, edhe pse dilemat për disa pozicione mbeten. Ethemi do të luajë nga minuta e parë dhe me rikthimin e Rrocës pas mungesës ndaj Skënderbeut, tashmë pritet që të sakrifikohet një mes vetë fantazistit, Abazajt dhe Gavazajt. Ethemi konsiderohet i pazëvendësueshëm nga trajneri Duro, ndaj dikush duhet t’ia lirojë vendin dhe të sakrifikohet. Trajneri ua ka bërë të qartë lojtarëve se nuk do ketë të paprekshëm.

Kukësi ka prodhuar lojë dhe raste, por çuditërisht nuk po gjen veten, edhe pse ka potencial të jashtëzakonshëm në ekip. Si për ironi të fatit, sot sytë e verilindorëve janë pikërisht tek ata lojtarë që shpërthyen në kampionatin shqiptar me fanellën e Luftëtarit, pikërisht Vasil Shkurtaj, Kristal Abazaj dhe Eduard Rroca. Për të tre është një sfidë speciale, por në një moment ku duhet patjetër fitorja.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"