Duro bën analizën e fazës përgatitore: Ky Flamurtar më bind, nuk më intereson shiriti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 15:23

Duro bën analizën e fazës përgatitore: Ky Flamurtar më bind, nuk më intereson shiriti

Shpëtim Duro është i kënaqur me përgatitjet e Flamurtarit gjatë fazës përgatitore në Greqi. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri thekson se ekipi po merr ngarkesë të plotë dhe se është i kënaqur me atë që lojtarët po japin në fushën e lojës.

Duro Flamurtari

“Çdo gjë po ecën shumë mirë. Ekipi është serioz dhe patjetër që po përgatitet mirë dhe po merr ngarkesën e plotë. Unë jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit që bëri lojë të mirë në ndeshjen që luajtëm këtu në Greqi. Djemtë janë të mobilizuar dhe shumë seriozë në punën e tyre.

U kushtojnë vëmendjen maksimale të gjitha detyrave që u ngarkohen. Unë jam shumë i kënaqur për këtë gjë. Madje, dua të them se ekipi është kompakt dhe shumë harmonik dhe kjo gjë është shumë e mirë. Tani na mbetet që të vijojmë të përgatitemi maksimalisht dhe të provojmë veten edhe në ndeshje të tjera miqësore.

Kemi ende kohë në dispozicion deri në nisje të kampionatit dhe besoj se do të bëjmë mirë. Dua të them se, me ardhjen e Kamarës dhe Sidibes, skuadra tani është edhe më e plotë dhe unë jam dhe më i qetë”, tha fillimisht Duro.

KËRKESA – Trajneri Shpëtim Duro deklaron se ka kërkuar nga skuadra impenjim, profesionalizëm dhe seriozitet. Duro tha se nuk e ka mendjen tek objektivat, por sipas teknikut e rëndësishme është konkurrenca që Flamurtari do të bëjë në kampionat. “Unë kam kërkuar nga skuadra ime impenjim, profesionalizëm dhe seriozitet.

Duro

Këto gjëra për mua janë shumë primare për të mundësuar më pas rezultate pozitive. Por dua të theksoj se këto tri gjëra që unë kam kërkuar, janë reflektuar te skuadra. E kam thënë edhe më parë që unë nuk dua të flas për objektiva. Nuk dua të flas as për kampionatin dhe as për Europën.

E rëndësishme është që të konkurrojmë mirë në kampionat dhe, më pas, të tjerat vijnë vetë. Qëllimi është që ne të ndërtojmë një ekip që konkurron denjësisht. Them se një gjë të tillë e kemi bërë, por kjo pritet tani që të vërtetohet në fushë. Po ashtu, dua të them se jam i kënaqur nga ekipi im edhe për faktin se në të ka shumë konkurrencë. Konkurrenca është gjë shumë e mirë dhe pozitive”, tha Duro.

veliu

SHIRITI – Tekniku nuk preferon që të komentojë çështjen e shiritit të kapitenit, pasi atij nuk i intereson. Më shumë se sa shiriti, Duro thotë se i intereson kontributi i lojtarëve në fushë. “Për shiritin e kapitenit duhet të bisedoni me drejtuesit e klubit. Dua të them se mua nuk më intereson shumë se kush do të jetë kapiten i Flamurtarit. Mua më intereson kontributi i lojtarëve në fushën e lojës”, ka përfunduar trajneri.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"