“Duhet ta kishim kualifikimin në dorën tonë”, Josa: E keqe “ftohja” pas shpine, ja e vërteta me Ermir Lenjanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2022 | 14:49

“Duhet ta kishim kualifikimin në dorën tonë”, Josa: E keqe “ftohja” pas shpine, ja e vërteta me Ermir Lenjanin

Vllaznia do të luajë sot ndeshjen e fundit të këtij kampionati ndaj Kastriotit në Kamzë në orën 17:00. Skuadra do të ketë vetëm një objektiv në këtë takim, fitimin e kësaj përballjeje duke qenë se është ende në garë për një vend në Europë. Kuqeblutë duken të motivuar për ta fituar këtë ndeshje dhe për të shpresuar deri në fund për arritjen e këtij objektivi. Një gjë të tillë e ka theksuar edhe trajneri Mirel Josa në konferencën e shtypit në prag të kësaj ndeshjeje.

MIREL JOSA 3

Cili është objektivi në ndeshjen ndaj Kastriotit?

Çdo skuadër dëshiron ta fitojë ndeshjen, por ne kemi një motiv më shumë për ta fituar duke pasur parasysh faktin që është fundi i kampionatit dhe duam të arrijmë objektivat tanë. Në varësi edhe të ndeshjes së kaluar me Egnatian, do të shohim si do të jetë skuadra dhe më pas do të shkojmë për ta përmbyllur kampionatin me rezultatin e duhur.

Java e dytë në krye të Vllaznisë, si duket vazhdimësia në skuadër?

Për mua nuk ka ndryshuar asgjë me ambientin që kam lënë në këtë rikthim të tretë. Futbollistët i kam të impenjuar në stërvitje. Për sa i përket gjendjes fizike nuk kam çfarë të rregulloj më shumë. Ndërsa për sa i përket gjendjes tekniko-taktike, po mundohemi që gabimet e bëra në ndeshjet e shkuara, t’i rregullojmë dhe t’i minimizojmë.

Si ndikon fakti që fati i Vllaznisë nuk varet vetëm nga këmbët tuaja?

Nuk kam frikë fare. Nuk e kemi aspak mendjen se çfarë do të bëjnë rivalët tanë. Nuk e kam mendjen te ndeshja e Tiranës, se e kam parasysh ndeshjen Tirana-Vllaznia. Nuk druhem se Tirana mund të tolerojë. Ne duhet që t’i kishim gjërat në dorën tonë që të mos “ftohemi”. Duhet të luftojmë fort me erën dhe jo vetëm atë që kemi përballë, sepse ndonjëherë më e keqe është “ftohja” pas shpine.

Si është gjendja fizike e skuadrës, do të keni rikthime?

Kemi vetëm rikthimin e Gurishtës. Baza e formacionit do të jetë po ajo, por thjesht po u kërkoj disa gjëra të tjera lojtarëve nga trajnerët pararendës.

Kastrioti ka qenë gjithmonë “kockë e fortë” për Vllazninë…

Çdo skuadër ka luajtur futboll ndaj Vllaznisë e jo vetëm Kastrioti. Unë vlerësoj shumë atë që bëri ekipi i Kastriotit, që nga fundi u ngjit lart falë punës që bënë të gjithë, sepse siguroi shumë shpejt mbijetesën dhe kjo vlen për t’u përshëndetur dhe vlerësuar.

Po lakohen emra për afrime, flitet për Lenjanin. Ka ndonjë zhvillim?

Lenjani ka qenë për kursin e trajnerëve. Deri tani që ende kemi një objektiv për të arritur, nuk flitet për afrime e largime. Gjëja e vetme e sigurt është që unë do të jem trajneri i Vllaznisë në sezonin e ardhshëm.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"