Dueli me Pogradecin, Kanarsa pret kthesën e Apolonisë: S’ka më gabime!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2022 | 10:47

Dueli me Pogradecin, Kanarsa pret kthesën e Apolonisë: S’ka më gabime!

Apolonia kërkon të blindojë vendin e katërt, duke fituar ndeshjen e radhës ndaj Pogradecit, që do të luhet sot në orën 15:00 në Fier. Trajneri Juri Kanarsa është optimist se ekipi nuk do të bëjë më gabime deri në fund.

Juriy KANARSA

“Transfertat e fundit kanë qenë mjaft të vështira për ne, ku në asnjë prej tyre nuk kemi marrë pikë. Pretendojmë elitën dhe fitoret vetëm në Fier nuk mjaftojnë deri në fund.

Së bashku me lojtarët kemi analizuar disa gabime që bëjmë herë pas here kur luajmë jashtë fushës sonë. Pres nga ata reagim të shpejtë në ndeshjen e sotme me Pogradecin.

Kemi bërë një fazë të dytë të mirë. Lojtarët po i kuptojnë më mirë idetë e mia dhe nga java në javë e kemi përmirësuar lojën.

Të gjithë e kanë dëshirën për të përmirësuar veten dhe kjo vërehet qartazi nga rezultatet e marra në pjesën e dytë të kampionat.

Edhe gjatë seancave stërvitore përpiqem që grupin ta mbaj të karikuar, pavarësisht humbjeve apo fitoreve. Vetëm kështu mund të kemi sukses dhe të arrijmë objektivin tonë sezonal”, ka thënë fillimisht italiani për “Panorama Sport”, ndërsa në vijim u ndal te kundërshtari i sotëm.

“U kam thënë vazhdimisht djemve se, gjithçka është në dorën tonë. Nuk mund të harroj as tifozët fierakë, të cilëve u bëj thirrje të na mbështesin në finalet e mbetura, sepse së bashku jemi më të fortë dhe mund të marrim rezultatet e dëshiruara.

Pogradeci ka vlerësimin tonë maksimal, por hapat fals nuk justifikohen më”, përfundoi Kanarsa.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"