“Duam të arrijmë Ligën e Kampioneve”,Çalhanoglu: Ibra më kërkon të luaj lirshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 10:26

“Duam të arrijmë Ligën e Kampioneve”,Çalhanoglu: Ibra më kërkon të luaj lirshëm

Me një gol e një asist në dy ndeshje mund të thuhet se sezoni i tij ka nisur në të njëjtën pikë ku e la. Praktikisht ashtu si Milani, Hakan Çalhanoglu konfirmon paraqitjet pozitive me fanellën kuqezi. Të hënën u zëvendësua pas 72 minutash, por asnjë mëri me trajnerin i cili u mundua t’i kursente sadopak energji që mund të rezultojnë të vlefshme për takimin e nesërm ndaj Bodo Glimtit. Në pritje të debutimit europian në “San Siro”, mesfushori turk ka dhënë një intervistë për rrjetin “DAZN” duke analizuar momentin personal dhe ekipor, teksa ka zbuluar edhe objektivat sezonalë të kuqezinjve.

AC Milan's Turkish midfielder Hakan Calhanoglu (L) challenges Bologna's Italian defender Lorenzo De Silvestri during the Italian Serie A football match AC Milan vs Bologne at the San Siro stadium in Milan on September 21, 2020. (Photo by MIGUEL MEDINA / AFP) (Photo by MIGUEL MEDINA/AFP via Getty Images)

Sa meritë ka Pioli në rezultatet e këtij Milani?
Trajneri na ka dhënë shumë nga këndvështrimi taktik. Nuk kam asgjë kundër Xhampaolos, sistemet e të cilit nuk arritëm t’i asimilonim kurrë tërësisht. Siç është parë, që nga ardhja e Piolit çdo gjë ka shkuar shumë më mirë.

Po me ju çfarë ndodhi, sepse po shpreheni në nivele që s’i kishim parë deri më tani?
Mua personalisht më ka bërë shumë mirë kalimi në skemën 4-2-3-1. Pozicioni im aktual është ai që preferoj dhe di të bëj më mirë. Trajneri ma bëri të mundur dhe unë po rikthehem në nivelet e mia.
2894e18402f4c79e7d2c4007450a8cd2-scaled
Sa ndikim ka Ibra në rritjen tuaj?
Rikthimi i Ibrahimoviçit është një tjetër element që ka ndikuar në rritjen tonë. Cilësitë e tij kanë infektuar grupin që ka ende shumë dëshirë për t’u përmirësuar.

Çfarë mund të na thoni për raportin tuaj?
Zlatani më njihte që para se të vinte te Milani. Ai e di se si luaj dhe i njeh lëvizjet e mia. Ai më kërkon të luaj lirshëm dhe të mos e humb përqendrimin. Më thotë se trupi është kapital dhe përvoja është vlerë e shtuar.

Si është të punosh me një kampion të tillë?
Zlatani ka shumë ide dhe mundohet t’i realizojë me ne në fushë. Përvoja e tij po na ndihmon shumë, por sidomos dëshira e pakushtëzuar për të fituar që ka. Gjithçka merr fill nga stërvitjet ku Ibra dëshiron gjithmonë të fitojë edhe ndeshjet e kontrollit. Është ambicioz dhe nuk e pranon dot që të dalë i humbur nga fusha.
rangnik
Rangnik vazhdon të flasë për Milanin. Cili është mendimi juaj?
Kam shumë respekt për të sepse e njoh që nga kohët e Bundesligës. Shpesh më pyesnin a do të vinte te Milani, megjithatë Pioli dha maksimumin duke mos u ndikuar nga thashethemet. Nga ana jonë, ne si skuadër u munduam t’ia shpërblenim me rezultate në fushë.

Cilët janë objektivat që i keni vendosur vetes në këtë sezon?
Fillimisht duam që të ndërtojmë një të tashme e një të ardhme të mbështetur mbi traditën me emra si Paolo Maldini apo Franko Barezi. Synimi ynë është Liga e Kampioneve. Ibra rinovoi kontratën, na u bashkua një si Tonali, ndaj është e qartë që klubi kërkon të arrijë diçka. Sidoqoftë, besimi im për këtë sezon është i madh.

REINOLD BAKALLI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"