“Dua të bëj bomberin, objektivi im të shënoj 10-12 gola”, Goxhaj: Pse jo të fitojmë titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 14:35

“Dua të bëj bomberin, objektivi im të shënoj 10-12 gola”, Goxhaj: Pse jo të fitojmë titullin

Një nga pikat e forta të Bylisit ka qenë në pjesën e parë të sezonit edhe mbrojtësi Jurgen Goxha. Një karrierë prej një dekade në Kategorinë e Parë, me ekipe si Erzeni, Besëlidhja, Shënkolli dhe një eksperiencë e shkurtër në elitë me Teutën apo me Tiranën, për një fazë në sezonin e shkuar. Në verë, provoi të veshë fanellën e Bylisit, aty ku ka bërë një pjesë të parë shumë të mirë, duke u spikatur edhe si shënues. Në një intervistë ndryshe, dhënë për “Panorama Sport”, Jurgen Goxha flet për aventurën në Ballsh dhe preferencën në fushë…

goxhaj

Goxha, nga Tirana në Ballsh në një formë të shkëlqyer. Janë bërë pishman te bardheblutë për ty? 

Bëra zgjedhjen më të mirë të mundshme, si financiare ashtu edhe për të luajtur. Mund të luaja edhe te Tirana, por tashmë ka ikur çdo gjë. Mendoj për Bylisin. E rëndësishme është që po më shkon çdo gjë sipas planit.

A e kishit menduar një pjesë të parë në aspektin personal me këtë ritme?Po në klub, si janë ndierë me zonat e kreut?

Normalisht ne e kemi thënë që do synojmë katër vendet e para, por jo që të ishim për shumë javë në vend të parë apo ta mbyllnim pjesën e parë në vend të dytë dhe me një pikë larg kreut. Jemi bërë rivalë të Tiranës, Kukësit apo Partizanit. Madje, i kemi lënë edhe poshtë… Në Ballsh e kanë pritur shumë mirë, normalisht që sa më lart të jesh, ke më shumë presion, por edhe përgjegjësi. Tashmë ne duhet të mbajmë këto pozita, e vështirë por jo e pamundur.

jurgen goxha bylis

Një Goxha që e nis si mbrojtës qendre ndeshjen dhe pastaj në fund e mbyll si shënues! Çfarë ju pëlqen më shumë si rol?

Unë luaj ku të ketë nevojë skuadra. Në eksperiencat e mia, kam provuar të luaj çdo rol në mbrojtje, por edhe si sulmues. Kam shënuar gola, e madje kam qenë në listën e shënuesve më të mirë disa sezone në Kategorinë e Parë.

Po trajneri nuk të flet kur “del nga detyrat”? 

Jo, madje është super profesionist që kujdeset për ne edhe pas stërvitjes, na sheh si fëmijët e tij. Diskutojmë me të, na flet, edhe kur ngre zërin, prapë mirëkuptohet, sepse është me të vërtetë shumë profesionist dhe njeri i mrekullueshëm. Ta them tani është herët, por ju bëj me dije se në fund, shumë në Shqipëri do thonë që është nga trajnerët e huaj më të mirë. Sukseset me Bylisin dhe loja e bukur janë treguesit më të mirë… Për rolin i kam kërkuar presidentit që nëse gjen tjetër mbrojtës qendre, të luaj në sulm, sepse e ndiej që do të shënoj më shumë!

Goxha

Cilat janë synimet e Goxhës te Bylisi më konkretisht, duke qenë se në merkato është ruajtur grupi? 

Shpresojmë të ruajmë këtë ritëm, duke ulur kokën e punuar në stërvitje dhe të mbajmë këto pozita. Personalisht dua të luaj sa më shumë dhe të shënoj pse jo 10-12 gola në Kupë dhe kampionat bashkë. Pastaj edhe titulli nuk do ishte keq. Është shumë mirë që u ruajt grupi, për të tjerat, nëse ka afrime që bëjnë diferencën, na bëjnë mirë edhe neve.

Goxha, sa i vlerësuar ndiheni në Ballsh apo për një lojtar nga rrethet?

Qytet i vogël, por me njerëz shumë të dashur. Në fillim duket vend i ftohtë, por e kam pasur shumë kollaj të ambientohem. Më respektojnë ndoshta edhe për nga forma ime dhe kam respekt, sepse kur dal në qytet, të gjithë më flasin: “O Goxha, do bësh gol prapë!

E.Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"