“Drejtuesit nuk besuan te ne”, Lirëza dhe Kovaçi: Pasi na lanë në hije, bindim te Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2021 | 23:27

“Drejtuesit nuk besuan te ne”, Lirëza dhe Kovaçi: Pasi na lanë në hije, bindim te Tomori

Kur debutuan dy sezone më parë me Tomorin, spikatën jo vetëm me lojën e tyre të bukur dhe me golat e shënuar. Flasim për sulmuesin Daniel Lirëza dhe mesfushorin e qendrës Enver Kovaçi, që në një lloj forme u lanë në hije. Nëse i pari luajti 195 minuta në 5 ndeshje kampionatin e fundit te beratasit, i dyti u huazua te fqinjët e Naftëtarit.

Tomori

Dy të rinjtë kanë nisur shumë herët të stërviten individualisht në ambientet e stadiumit, pasi duan të jenë protagonistë në radhët e Tomorit. Për “Panorama Sport” ata shprehin keqardhjen që nuk iu dha mundësia të shfaqin veten. Daniel Lirëza e quan padrejtësi që nuk iu dha hapësirë. “Mendoj se padrejtësisht jam lënë në hije sezonin e kaluar. Vërtet fusha kërkon eksperiencë dhe kualitete, por kurrsesi nuk mund t’i mohosh aktivizimin elementit të ri.

Vetëm kështu mund dhe duhen evidentuar futbollistët me të ardhme. Unë i jam shumë mirënjohës një tekniku ekspert si Kristaq Mile, që më ka zbuluar para dy sezoneve, por e quaj të pafalshme mungesën e besimit që më ka kushtuar shumë sezonin e kaluar”, tha sulmuesi. Enver Kovaçi, nga ana tjetër, deklaron:

“Asnjëherë nuk i kuptova ish-drejtuesit e sezonit të kaluar, që më huazuan te Naftëtari. Mua më ka evidentuar një trajner i mirënjohur si Kristaq Mile, të tjerët na degdisën në Kuçovë dhe kjo fare pa kuptim. Dua ta lë pas kujtimin e hidhur të sezonit që lamë pas dhe kam bindjen e plotë se këtë sezon të ri do të jem shumë i vlefshëm për Tomorin”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"