Dorëheqja e Ksavit dhe metamorfoza e Barçës, katalanasit numërojnë 12 ndeshje radhazi pa humbje, mes tyre 9 fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 14:58

Dorëheqja e Ksavit dhe metamorfoza e Barçës, katalanasit numërojnë 12 ndeshje radhazi pa humbje, mes tyre 9 fitore

Më 27 janar, Barcelona përjetoi një nga mbrëmjet më të trishta në këtë sezon. Një humbje 3-5 në shtëpi përballë Vijarrealit që praktikisht ndryshoi sezonin e katalanasve. Ajo humbje në stadiumin “Olimpik” në kodrën “Montjuïc” e shtyu trajnerin Ksavi të deklaronte se ai do të largohej nga drejtimi i ekipit më 30 qershor. Me atë deklaratë, siç shpjegoi dhe vetë Ksavi – trajneri synonte që ekipi të çlirohej dhe të luante me më pak presion.

KSAVI

Dy muaj e gjysmë më vonë, numrat dhe disa ndryshime taktike tregojnë se ka ndodhur kthesa e shumëpritur që kërkonte ish-mesfushori. Barcelona nuk ka humbur më që nga ajo ditë. Ata kanë luajtur 12 ndeshje, mes La Ligës dhe Champions dhe kanë arritur nëntë fitore dhe tre barazime.

RIKUPERIMI I SOLIDITETIT NË MBROJTJE – Nëse Barcelona u shpall kampione në Spanjë në sezonin e kaluar, kjo ishte, pa dyshim, falë forcës së tyre në prapavijë. Katalanasit pësuan vetëm 20 gola në të gjithë sezonin e rregullt. Në këtë sezon dinamika ishte krejtësisht e kundërt dhe dëmtimi i Ter Shtegenit i përkeqësoi problemet në prapavijë. Por, pas njoftimit të trajnerit për t’u larguar nga drejtimi i ekipit, erdhi rikuperimi i portierit gjerman, shpërthimi i Kubarsit dhe performanca e shkëlqyer në krahun e djathtë të Kundesë, që e ktheu Barçën sërish në një ekip solid. Ata kanë pësuar 9 gola në këto 12 ndeshjet e fundit.

STRUMBULLARI KRISTENSEN – Ksavi befasoi në “Mendizorroza” duke rreshtuar Kristensen si mesfushor dhe formula funksionoi për të. Në fakt, ai zhvilloi deri në 8 ndeshje në atë zonë të fushës dhe vetëm disa shqetësime në stërvitje para ndeshjes kundër Atletikos së Madridit, e mbajtën atë larg formacionit titullar. Pasi u rikuperua, ai luajti përsëri disa minuta kundër PSG-së dhe e bëri këtë, përsëri, si mesfushor. Për më shumë shënoi dhe golin e fitores 2-3. Gjithçka tregon se në Kadiz ai do ta ruajë pozicionin e tij në këtë sektor.

GYNDOAN MË I AVANCUAR – Vendimi i Ksavit për të zhvendosur Kristensenin në mesfushë, solli një reaksion zinxhir. Sepse me këtë lëvizje, tekniku i dha mundësi Gyndoanit të luajë më lirshëm dhe të spostohet më përpara: ai ka më shumë hapësirë, guxon dhe lidhet më mirë me Levandovskin. Mesfushori gjerman është lojtari që gjeneron më shumë asiste në ligat kryesore evropiane.

INFERMIERIA NË ZBRAZJE – Edhe pse Balde dhe Gavi janë jashtë për të gjithë sezonin, Barcelona nuk ka grumbulluar kaq shumë lojtarë me sëmundje në javët e fundit. Qoftë për shkak se kalendari nuk ka qenë aq kërkues sa i përket grumbullimit të ndeshjeve, e vërteta është se Xavi nuk është prekur edhe aq nga dëmtimet. Në fakt, ai tani përballet me shtrirjen më vendimtare dhe përcaktuese me infermierinë bosh, përveç dy lojtarëve me dëmtime afatgjatë.

QETËSI DHE UNITET I TIFOZËVE – Një tjetër nga objektivat e Ksavit me njoftimin e tij ishte të sigurohej që të mos kishte përplasje në mjedis dhe t’i jepte fund spekulimeve për të ardhmen e tij. Për më tepër, tribunat kishin shfaqur tashmë pakënaqësinë e tyre në disa ndeshje duke fishkëllyer skuadrën. Megjithatë, tani gjithçka është e qetë, madje optimizmi është më i lartë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"