Donaruma: Nuk luaj i vetëm, Europa është synimi kryesor. Jemi larg Champions-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 18:40

Donaruma: Nuk luaj i vetëm, Europa është synimi kryesor. Jemi larg Champions-it

Për cilësitë e tij nuk ka më dyshime, por Xhanluixhi Donaruma nuk humb rast për të treguar se në mos më i miri në rolin e tij, pa dyshim është mes më të mirëve në qarkullim. Portieri i Milanit ka ndalur për televizionin e klubit pas sfidës me Breshan, duke deklaruar: 

donaruma

“Ndryshe me të kaluarën, ky është një Milan që di të vuajë. Të luash ndaj Breshas në shtëpinë e saj e të fitosh nuk ishte e lehtë. Duhej një provë force të cilën mendoj se e dhamë duke marrë tri pikë me shumë peshë”. 20-vjeçari me thuajse 200 ndeshje në CV nuk fshihet dhe pranon të flasë për synimet e Milanit në pjesën e mbetur të sezonit, teksa sqaron: “Objektivi ynë janë Kupat e Europës, por për t’ia dalë mbanë, nevojitet që të ruajmë këtë ritëm. Nuk duhet të qetësohemi, edhe sepse të martën në Kupë kemi një tjetër betejë që na pret”.

Donaruma

Xhixho e di fare mirë se me nivelin që po shfaq, meriton të luajë në Champions. Edhe kompeticioni i Kupës “veshgjatë” është në objektivat e Milanit, me numrin 99 që shpjegoi: “Vërtet që jemi disa pikë larg Champions-it, megjithatë nuk mendojmë për llogari. Le t’i marrim ndeshjet me radhë, të hedhim hapa të sigurt dhe të shpresojmë për të fituar sa më shumë ndeshje, pasi është e vetmja mënyrë për t’iu afruar katër vendeve të para”.

Nëse nuk do të kishte pësuar dy gola një javë më parë, porta e Milanit do të ishte ndër të paprekurat për këtë vit kalendarik, megjithatë fitoret e skuadrës së Piolit “flasin” për një ekip cinik që mbase nuk shënon shumë, por edhe golat e pësuar i ka me pikatore. Donaruma ka merita të padiskutueshme në këtë lloj statistike, megjithatë elozhet preferon t’i ndajë me ekipin. “Jo vetëm mbrojtja, por i gjithë ekipi po bën një punë të mirë në aspektin defensiv. Jemi më të bashkuar dhe po punojmë shumë në stërvitje, ndaj meritat duhen ndarë mes të gjithë grupit”, përfundoi Donaruma.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"