Dominojnë në zotërimin e topit dhe rikuperime, “banda e Inzagit” s’lodhet së luftuari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 13:56


Dominojnë në zotërimin e topit dhe rikuperime, “banda e Inzagit” s’lodhet së luftuari

Dy pikët e lëna në Bergamo nuk janë bërë dramatike në Milano aty ku e dinë mirë se një barazim kundër një skuadre niveli nuk mund të minojë siguritë e deritanishme të një organike që e njeh mirë kapacitetin e vet.

INTER

Sidoqoftë, ashtu siç u pranua nga të gjithë protagonistët me në krye kapitenin Handanoviç, ndaj bergamaskëve u ndjenë efektet e 120 minutave të mesjavës.

Por pavarësisht lodhjes dhe sforcimit kampionët treguan edhe një herë mentalitetin e tyre dhe në asnjë moment nuk u dorëzuan, për më tepër duke imponuar ritmin e tyre gjatë gjithë lojës, gjë që provohet edhe nga statistikat.

Interi vërtet mund të kenë vuajtur finalizimin ndaj Atalantës, që duhet thënë se i mungonin plot 8 titullarë potencialë, por në asnjë moment djemtë e Inzagit nuk e lanë fushën e betejës.

Nga ana tjetër, ndërsa deri më tani Interi është penalizuar nga kalendari, ky i fundit pritet të jetë favorizues ndërkohë që së shpejti vjen derbi.

NGA ATALANTA TE MILANI- Ajo që ra në sy në përballjen me Atalantën ishin goditjet, sepse për herë të parë gjatë këtij sezoni të Serisë A, Interi ka pësuar më shumë goditje se ç’ka krijuar, duke dhënë ndjesinë e inferioritetit, shenjë kjo edhe e konsumimit në ndeshjet e mëparshme.

Atalanta e ka mbyllur me 12 goditje ndaj 11 të milanezëve dhe me dyfishin e konkluzioneve drejt portës (6 ndaj 3). Për të nënvizuar ama ngelet forca dhe këmbëngulja me të cilën zikaltrit luftuan, duke lejuar shumë pak.

Si fillim monopolizuan zotërimin e topit me 63.7% dhe kanë kompletuar edhe dy herë më shumë pasime se bergamaskët (658 me 366), me një numër më të madh topash të rikuperuar (60 ndaj 48) dhe thuajse me 300 topa më shumë të luajtur. Kjo ishte edhe përgjigjja më e mirë fizike, pavarësisht dy betejave me nivel të lartë shpenzim energjie si ajo ndaj Lacios dhe Juves në harkun kohor të 4 ditëve.

Në përfundim të 90 minutave, në barazim ka qenë jo vetëm rezultati i përgjithshëm, por edhe numri i dyluftimeve trup më trup (8 secila), me një diferencë shumë të vogël në numrin e dueleve (43 me 39), ndërkohë që djemtë e Gasperinit kanë qenë superiorë vetëm në duelet ajrore (16 me 9).

Ajo e Bergamos ishte transferta e parë e vështirë e Interit, që tani me Empolin në Kupën e Italisë dhe Venecian në fundjavë ka një mundësi të mirë për të rikuperuar energjitë dhe për të rifituar ndonjë lojtar që është shtrydhur më shumë se të tjerët.

Një tjetër “asist” do t’i vijë nga kalendari kur kampionati do të ndalet për pauzën e kombëtareve, por me rikthimin kampionëve do t’u duhet të përballen me Milanin, Napolin e Liverpulin, në një seri ndeshjesh që pritet të përcaktojnë shumë për fatet e sezonit.

NISLI GJINI- PANORAMASPORT.AL