“Do zhbllokohet merkatoja”, Sinan Idrizi: Kemi kryer pagesat, çova emrat në FSHF

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2021 | 12:42

“Do zhbllokohet merkatoja”, Sinan Idrizi: Kemi kryer pagesat, çova emrat në FSHF

Merkatoja u mbyll në mesnatë, e megjithatë te Flamurtari nuk dorëzohen. Ata presin që brenda javës t’u vijë vistoja nga ndërkombëtarët, ndaj edhe dje kanë dorëzuar listën e federimeve në FSHF. Të paktën këtë deklaron Sinan Idrizi gjatë një bisede me “Panorama Sport”.

Idrizi-750x430

Administratori konfirmon se, veç Paolo Rikardos, ka shtuar edhe brazilianë të tjerë. “Ne jemi në pritje të hapjes së sistemit. Besoj se do të hapet këtë javë. Kemi çuar në FSHF, sipas rregullave dhe brenda afateve, emrat e lojtarëve që duam të federojmë. Presim edhe tre lojtarë brazilianë të cilët mund të na bashkohen.

Vonesat në hapjen e sistemit të merkatos nuk janë për fajin tonë. Ne si klub u kemi bërë pagesat dy lojtarëve që u detyroheshim. Ishte thjesht një vonesë nga çështje burokratike. Nuk prita zhbllokimin e llogarive të Flamurtarit dhe i bëra pagesat e futbollistëve nga kontot e kompanive tona nga Turqia. Por, këta na kërkonin 1001 vërtetime që isha unë ai Sinani që sillja këta lekë apo jo. Pikërisht për këtë çështje unë sapo përfundova edhe një takim me avokatin tim, presim të hapet sistemi”, tha fillimisht ai.

TAKIMI ME LELIN – Ka pasur dje edhe një takim mes Dritan Lelit dhe Sinan Idrizit, që vjen pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe deklaratave të forta për çështjen e privatizimit. “Panorama Sport” mëson se kryebashkiaku i ka garantuar se procesi do të përfundojë shumë shpejt:

“Privatizimi duhet që të mbyllet deri në korrik. Bashkia dhe unë jemi të gatshëm e të angazhuar, ndaj erdha që të të pyes se cilat janë pretendimet tuaja dhe hajde të bashkëpunojmë për një privatizim sa më të shpejtë”. Administratori nga ana tjetër i ka sqaruar: “Këshilltarët nuk duhet të flasin para kohe për gjërat që nuk janë të tyret. Ne duam që të mbarojmë punë sa më shpejt, të bëjmë privatizimin. Nuk dua asnjë fond për asgjë”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"