Do të ketë masa nëse nuk ka reflektim, Takaj ultimatum Skënderbeut për 6 pikë: Kjo situatë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2022 | 14:20

Do të ketë masa nëse nuk ka reflektim, Takaj ultimatum Skënderbeut për 6 pikë: Kjo situatë…

Në Korçë as që e kishin menduar humbjen ndaj Orikut. Në një kohë që planifikonin të ishin ata që do të diktonin garën në Kategorinë e Parë, situata u ka dalë nga duart. Skënderbeu ka precipituar drejt zonës së ftohtë të renditjes, me vetëm dy pikë të grumbulluara pas tri javësh të luajtura.

Takaj

Kjo nuk është një dramë, pasi mundësi për rikuperim ka. Kampionati është ende i gjatë dhe shumë shpejt mund ta shohin veten në krye, ku edhe synojnë.

Por, nuk është se “gëlltitet” lehtë për një klub, i cili ka pretendime që të ngjitet direkt në elitë. Meqenëse është vetëm fillimi, Ardjan Takaj kërkon që të marrë të gjitha masat në kohë.

Ndoshta duke marrë shkas edhe nga sezoni i fundit, ku nuk e shmangën dot rënien në inferiore. I zhgënjyer nga ngjarjet e fundit, dhe për më tepër nga humbja me orikasit, presidenti ka paralajmëruar ndëshkime.

Nëse do të ketë reagim, nuk do të kursehet për askënd.

Burime në klub bëjnë me dije se si “deadline” janë lënë dy javët e ardhshme në kampionat dhe kualifikimi në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë. Vetëm kështu mund të rikthehet në normalitet situata.

Një gjë të tillë, presidenti e ka biseduar me stafin më të afërt pranë tij, madje ua ka bërë me dije dhe drejtuesve të ekipit.

“Kjo humbje dhe paraqitja në këto tre javë, duhet të marrin fund sa më shpejt.

Kemi përpara të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion, pasi me pushimin e kampionateve për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, kemi kohën e duhur të reflektojmë dhe të reagojmë.

Nuk mund të lëmë gjithçka të prishet kështu.

Kemi një objektiv dhe dua të jemi diktues. Dua një reagim në javët e ardhshme. Reagim që përfshin 6 pikë në dy ndeshjet e kampionatit dhe kalim të mëtejshëm në Kupë.

Nuk janë objektiva të paarritshëm, ndaj kërkoj seriozitet. Në të kundërt të gjithë do të përballeni me penalitete”, kanë qenë mes të tjerash, fjalët e Ardjan Takajt.

Pas kësaj shkundjeje, pritet që ekipi të reagojë si duhet. Bëhet fjalë për ndeshjen e dyfishtë në Kupë ndaj Maliqit dhe për dy takimet e kampionatit që Skënderbeu do të luajë, respektivisht ndaj Luzit në transfertë dhe në shtëpi me Burrelin.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"