Ditët emergjente të Koronavirusit, Vllaznia mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2020 | 20:56

Ditët emergjente të Koronavirusit, Vllaznia mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Ashtu si edhe ekipet e tjera, Vllaznia ka ndërprerë stërvitjen. Lojtarët dhe stafi janë “vetëkarantinuar”, duke ndjekur udhëzimet mjekësore pas përhapjes së koronavirusit. Stafi teknik dhe ekipi janë shpërndarë të enjten në disa drejtime, për të kaluar minimalisht deri të hënën larg punës së tyre të përditshme.

Jonuz Vllaznia

Ndërkohë, e premtja në Shkodër ka qenë si një ditë shtetrrethimi, ku lëvizjet kanë qenë tepër të pakta në rrugët e qytetit. Nuk bëjnë dallim as lojtarët e skuadrës kuqeblu. Ata kanë respektuar të gjithë rregullat e dhëna nga stafi mjekësor i klubit.

Maksimumi i lëvzjes së lojtarëve kuqeblu, e po ashtu edhe stafit, ka qenë ndonjë kafe e shpejtë dhe menjëherë në banesat e tyre. Këtë terapi kanë ndjekur edhe dyshja braziliani Hygor-Zhunior.

Lojtarët nga vendi i Sambës kanë respektuar rregullat duke qëndruar në shtëpitë e tyre, që ndodhen në qendër të qytetit. Madje edhe blerjet e ushqimeve mësohet se i kishin bërë që një ditë më parë. Ndërsa lojtarët shkodranë mësohet se kanë shijuar ndonjë kafe me miqtë e tyre, por pa qëndruar gjatë në ambjentet publike.

TË TJERËT

Jo i gjithë ekipi është karantinuar në Shkodër. Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz duket përfituar që ende nuk ishte ndërprerë lëvizja e makinave, që ditën e enjte me t’u anuluar procesi stërvitor, është nisur në drejtim të vendit të tij, Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, në drejtim të këtij shteti janë nisur edhe lojtarët e tjerë që janë pjesë e Vllaznisë. Bëhet gjalë për mbrojtësit Mevlan Adili dhe Filip Gligorov, portierin Andreja Efermov dhe sulmuesin Filip Gligorov. Bashkë me Jonuz kanë lënë Shkodrën dhe kanë udhëtuar drejt familjeve të tyre në Maqedoni.

“Panorama Sport” mëson se stafi teknik ka dhënë edhe një plan stërvitor individual për lojtarët. Po ashtu në drejtim të familjeve të tyre janë larguar edhe lojtarë si Renato Malota, Dajan Shehi dhe Herald Marku. Të gjithë këto kanë lënë Shkodrën që pasditen e së enjtes.

Kësisoj skuadra është është futur në “karantinë”, por e shpërndarë si brenda Shqipërisë e po ashtu edhe në Maqedonin e Veriut.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"