Ditëlindja jubilare, kryebashkiaku i Beratit dhe donatori vendosin “piketat” për 100-vjetorin e Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2022 | 11:17

Ditëlindja jubilare, kryebashkiaku i Beratit dhe donatori vendosin “piketat” për 100-vjetorin e Tomorit

Në Berat diçka po “zien”. Mjaftoi një takim mes kryebashkiakut Ervin Demo dhe donatorit Gramoz Toto, që situata të marrë drejtim.

tomori-besa

Zyrtarisht klubi ka nisur riorganizimin për sezonin 2022-2023. Do të ndërtohet skuadër dinjitoze, që do të synojë rikthimin në elitë për ditëlindjen jubilare.

Nga sa ka mësuar “Panorama Sport” nga burime krejt konfidenciale, tashmë ka nisur nga puna për modalitetet e riorganizimit, që pritet të funksionojë shumë ndryshe nga sa më parë.

E megjithatë, detajet ende nuk janë zbardhur. E vetmja gjë e sigurt është që do të fuqizohen financat. Do të afrohen disa biznesmenë, që do të kontribuojnë për të vënë në jetë projektin e Tomorit.

Skuadra do të ketë të gjitha kushtet e duhura, duke filluar nga infrastruktura.

Do të bëhet gati një fushë, që skuadra të stërvitet në kushte bashkëkohore. Jo vetëm kaq, por do të blihet edhe një autobus që skuadra ta përdorë për të lëvizur. Ish-mbrojtësi Eduart Aliaj i komenton kështu lëvizjet e para në kampin beratas:

“Tomorit i duhet një organizim krejt tjetër tani. Kush më mirë se ata njerëz që dhanë prova në sezonin 1999-2000, mund ta realizojnë këtë. Me bashkimin e biznesmenëve, skuadra e ka të sigurt kthimin në elitë.

Jam i bindur se ata do të rikthejnë atë atmosferë të ndezur që përjetoi Berati në kohën tonë, kur zyrtarisht u shpallëm nënkampionë”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"