Disenjatori Jareci: Arbitra të padukshëm në fushë, nuk i ndryshojmë më para ndeshjes. Ja pse i anulohen golat Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 23:38

Disenjatori Jareci: Arbitra të padukshëm në fushë, nuk i ndryshojmë më para ndeshjes. Ja pse i anulohen golat Flamurtarit

Sokol Jareci e cilëson pozitive punën e bërë nga arbitrat këtë sezon. Disenjatori i arbitrave thotë se, sa më pak të jenë protagonistë gjyqtarët në fushën e lojës, aq më mirë është për ndeshjen dhe futbollin në tërësi. Në një intervistë për gazetarin Ylli Aga në “SuperSport”, ish-gjyqtari i shquar thotë se nuk do të ketë më ndërrime arbitrash dy orë para ndeshjes, siç ndodhi në rastin e Blerim Zirit.

Sokol Jareci

Cili është vlerësimi në këtë start të sezonit?

Pa dyshim është një notë pozitive. Megjithatë, ka një ndryshim nga kampionatet e tjera, por ne si Komitet Arbitrimi presim akoma më shumë. Ne duam të rrisim standardin e arbitrimit, pasi arbitrimi nuk është vetëm një penallti e dhënë apo e padhënë në një ndeshje.

Edhe polemikat kanë qenë më të pakta këtë fillim sezoni nga klubet…

Sigurisht, pasi skuadrat janë të fokusuara në të luajturin e futbollit. Pra, po luajnë futboll dhe pastaj po shikojnë gabimet e arbitrave. Në kampionatet e kaluara polemikat ndoshta fillonin përpara se të dëgjohej vërshëllima e parë e gjyqtarit të ndeshjes.

Këtë sezon iu është dhënë mundësia të gjykojnë të gjithë arbitrave të përcaktuar në listën e Superiores…

Kjo vjen pasi është një ekip i miratuar nga Komiteti Ekzekutiv. Pra, çdonjëri ka të drejtën të zgjedhë çdonjërin nga ky ekip. Kështu që, të 18 arbitrat e përfshirë në listën e elitës së futbollit shqiptar u duhet dhënë shansi që ata të jenë në fushë, përndryshe do të jenë përjetësisht nëpër lista dhe nuk do të aktivizohen kurrë.

Nëse do ta marrim të mirëqenë renditjen e aktivizimit, a mund të konsiderohet ky edhe si një vlerësim për arbitrat e Superiores?

Pa dyshim, duke përfshirë edhe tre arbitrat e FIFA-s, që duhet të jenë në aktivitet të përjavshëm, ndoshta jo të gjithë në Superiore, gjithë pjesa tjetër e gjyqtarëve që kanë pasur paraqitje të mirë do të jenë pa dyshim çdo javë në aktivitet, jo vetëm në Superiore, por edhe në Kategorinë e Parë.

Shikojmë se ka mbetur prapa në renditje Juxhin Xhaja…

Juxhini për fatin e tij “të keq”, ka qenë në disa aktivitete ndërkombëtare dhe nuk është aktivizuar aq sa duhet në kampionatin tonë. Por, pa dyshim duke filluar nga java tjetër ai do të jetë aktiv në të gjitha ndeshjet e Superiores dhe Kategorisë së Parë. Shpresoj që të mos kemi gabime nga ana e Juxhinit, meqë pyetja është për atë në këtë rast.

Sa i përket dizenjimit të gjyqtarëve. Në ndeshjen mes Kukësit dhe Flamurtarit ka qenë një rast i veçantë, ku patët vënë edhe një lloj standardi, duke i njoftuar arbitrat një ditë përpara. Por, pas përplasjes në këtë takim për gjyqtarin Blerim Ziri, nuk kemi parë t’i afishoni sërish gjyqtarët e ndeshjeve. A ka shërbyer ky precedent për të evituar polemikat?

Ishte hera e parë, për aq kohë që unë jam në krye të Komitetit të Arbitrimit, që një gjyqtar ndërrohet në momentet e fundit. Absolutisht që nuk është normale, por për të evituar atë zhurmë që ishte krijuar, duke ditur se jetojmë në një vend si Shqipëria, morëm atë vendim. Ajo lloj zhurme e krijuar, të jeni të sigurt që ndikon në psikologjinë e arbitrit. Ndaj, për të pasur një ecuri sa më korrekte të takimit dhe për t’ua hequr arbitrave barrën e rëndë nga ana psikologjike, e menduam si komision i caktimit të arbitrave dhe vendosëm që të ishte rasti i parë dhe i fundit që një arbitër të ndërrohet para një ndeshjeje.

Kulmi është aktivizimi i Enea Jorgjit në një ndeshje të Ligës së Kombeve, si dhe vendosi edhe një rekord duke gjykuar një ndeshje të grupeve të Ligës së Europës. Çfarë nënkupton kjo për gjithë skuadrën e arbitrave?

Është në rrugën e duhur dhe kam bindje se në janar Enean do ta shikojmë në klasën e parë të arbitrave të UEFA-s. I mungon vetëm elita, e cila do kohën e duhur, por Enea e ka gjithë bagazhin për të qenë shumë shpejt në elitën e arbitrave të Europës.

Përveç përgëzimeve, ka pasur edhe kontestime për gabime, ku për koincidencë, dy raste kanë të bëjnë me Flamurtarin. Si ish-gjyqtar me eksperiencë, si i keni parë këto raste specifike?

Gjithmonë kur sulmuesit prekin topin me dorë, do të ndëshkohen. Këto nuk janë instruksione që vijnë nga FSHF-ja, por nga UEFA përmes instruktorëve të saj. Pra, gjithmonë penalizohen sulmuesit kur janë brenda zonës së penalltisë te rasti i prekjeve me dorë. Arsyeja është se ata përfitojnë nga rasti i prekjes së topit me dorë. Në të dyja rastet që kanë të bëjnë me Flamurtarin, si Torasa dhe Bushiç, lojtarët sulmues shënuan gol, por duke marrë topin pasi e kishin prekur me dorë. Nuk diskutohet nëse dora është në pozicion natyral apo më e hapur sesa duhet. Të gjitha prekjet e topit me dorë nga sulmuesit brenda zonës së penalltisë do të ndëshkohen me faull. Ndërsa rasti në ndeshjen me Luftëtarin nuk ka asnjë lloj dyshimi, pasi është një prekje që duhej ndëshkuar me penallti nga ana e arbitrit. Por, duke qenë se ishte në një pozicion shumë të vështirë, pasi vjen pyetja e radhës që ka të bëjë me arbitrat e linjës fundore.

A është kjo një arsye më shumë që të kemi 6 arbitra në fushë?

Jemi dëshmitarë të situatave edhe në kampionatin shqiptar, ku kemi pasur prezencë të arbitrave të vijës fundore e në shumë momente atyre u ka shpëtuar situata edhe duke qenë pranë zonave të tyre dhe komentet kanë qenë të jashtëzakonshme. Për momentin jemi vetëm me një ndeshje. Themi kemi bërë mirë, por vend për përmirësime ka. E mira nuk ka fund dhe e mira është sistemi VAR në të ardhmen, por unë e shikoj të largët në Shqipëri, sepse dihet infrastruktura jonë.

Rastet e dyshimta krijojnë polemika pafund. Duke qëndruar te rasti i Avdos, që sipas Arsen Hoxhës meriton notën dhjetë, ndërsa Jemini ka thënë se do t’i thyeja flamurin kokës. Cili është komenti juaj?

Për vetë emrin që kanë sot asistentët, do të thotë që asiston vendimet e arbitrit. Në të gjitha rregulloret dhe instruksionet thuhet se, kur asistenti ka pamjen më të mirë se arbitri kryesor, në këtë moment asistenti mund të ndërhyjë ndoshta me sistem komunikimi ose me flamur. E rëndësishme është që në fund fare të merret vendimi i duhur. Dhe në rastin konkret, unë jam me notën dhjetë përsa i përket vendimit të asistentit, sepse e preka edhe më lart pse duhet të ndëshkohen të gjitha prekjet e topit me dorë nga sulmuesit në zonë. E theksoj sërish se nota e asistentit Avdo për rastin në fjalë është dhjetë.

Thuhet se puna juaj ka shumë presion. Ju vetë, si jeni ndjerë në këto momente të para në krye të dizenjimit të arbitrave dhe, a keni pasur ngacmime nga drejtues klubesh?

Ngacmimet më tepër vijnë pas ndeshjeve, pasi atëherë janë në atë trysninë e mosmarrjes së pikëve dhe rezultateve. Pra, pas ndeshjes apo një ditë më pas mund të bëjnë telefonata dhe mund të shfryjnë dufin. Por çdo gjë ka mbaruar dhe ne absolutisht me shumë mirësi diskutojmë me disa prej tyre. Dhe u themi se në fund fare nuk jemi ne në fushë, i pari është arbitri.

Ju shqetëson fakti se kemi shumë ndërprerje të lojës?

Kur thashë se kërkojmë të rrisim standardin e arbitrimit, ka të bëjë edhe me rritjen e lojës efektive në futboll. Kjo nuk është vetëm në dorën e arbitrit, pasi shpeshherë është edhe në dorën e nivelit të futbollit. Pra, nga mënyrat sesi luajnë skuadrat. Shpeshherë në seminaret që ne bëjmë, që janë të përmuajshme, u themi arbitrave: Ju lutem vononi bilbilin. Një bilbil i vonuar do të thotë se kemi një minutë më shumë në lojë. Nëse është një edukatë që duhet të vijë me kohën, por duhet të fillojmë ta aplikojmë. Unë shpeshherë u përsëris këtë thënie, jo vetëm tek arbitrat e elitës, por edhe të rinjve. Sa optimist jeni që në fund të kampionatit skuadra e arbitrave do të jetë në pjesën e sipërme të renditjes, sepse në një farë mënyre edhe ata janë pjesë e garës? Thjesht dua që ne të mos jemi problematikë dhe të mos jemi ne në fund fare në vendosjen e rezultateve. Unë nuk dua që të jemi sipër, por dua të jemi njësh me ekipet. Pra, të jemi pjesë e lojës. Arbitri duhet të jetë gjatë gjithë kohës i padukshëm. Në rast se arbitri është i padukshëm, atëherë themi se jemi pjesa më e mirë e futbollit shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"