“Dinamo meriton elitën”, Ymeri: Shkojmë për pikët e plota në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2022 | 0:24

“Dinamo meriton elitën”, Ymeri: Shkojmë për pikët e plota në Korçë

Nëse për Dajën dhe Allmuçën ishte rikthim, plot shtatë lojtarë debutuan me fanellën e Dinamos. Dikson, Fetaj, Ymeri, Danaj dhe Marku e nisën si titullarë, ndërsa Smaçi e Vokrri nga stoli. Prova e parë kaloi me sukses dhe blutë dëshmuan direkt ambicien që kanë për këtë sezon.

DINAMO FESTA

I bindur për ngjitjen është edhe Ersil Ymeri, një nga afrimet më të rëndësishme të kryeqytetasve në merkaton e verës. Mesfushori e quan privilegj të përfaqësojë këtë fanellë, ndërsa paralajmëron që gara të mos merret lehtë. Lojtari, me një eksperiencë të konsiderueshme dhe në Superiore, pohon në një intervistë për “Panorama Sport” se kjo skuadër meriton vetëm elitën.

Çfarë do të thotë për ju të vishni fanellën e Dinamos?

Fanella e Dinamos është një fanellë që ka bërë histori në futbollin shqiptar e për mua është nder dhe privilegj ta mbaj veshur. Shpresoj shumë ta përfaqësoj në mënyrën më të mirë të mundshme.

Bashkë me trajnerin Dede, ju dhe Dikson ngjitët Erzenin në elitë. A do të jetë më e lehtë me Dinamon?

Ky kampionat besoj do të jetë pak më “i ashpër” se ai i vjetshmi, për vetë skuadrat që marrin pjesë. Janë shumë skuadra që kanë shkruar historinë e futbollit në Shqipëri. Në letër mund të duket e lehtë, por ne duhet të japim maksimumin ndeshje pas ndeshjeje, që të realizojmë objektivin “Superiore”.

Si ju duket grupi i lojtarëve ku bën pjesë? Çfarë mund të arrijë këtë sezon?

Është një grup i shkëlqyer, më kanë pritur shumë mirë që ditën e parë që kam ardhur. Dinamo ka një grup të ndërthurur me lojtarë që kanë kupa dhe kampionate mbi supe, si dhe çuna të rinj të perspektivës. Do të mësoj shumë nga këta lojtarë dhe të gjithë bashkë do të japim më të mirën nga vetja. Është herët për të folur për arritjet, është luajtur vetëm ndeshja e parë zyrtare. Por gjatë rrugës shpresoj të kemi vazhdimësi dhe të realizojmë atë që i kemi vënë qëllim vetes, ngjitjen në Superiore. Sepse një ekip si Dinamo nuk e meriton këtë kategori.

Ju keni spikatur edhe si shënues. A do ta vazhdoni “traditën” edhe me Dinamon?

Sezonin e kaluar spikata si golashënues, por për mua më shumë rëndësi ka që të fitojë ekipi. Nuk kanë vlerë golat, nëse nuk arrihet fitorja. Shpresoj të shënoj sa më shumë, por gjithmonë duke e ndihmuar ekipin të fitojë. Asistet ndonjëherë të shijojnë edhe më shumë se goli.

Cili është komenti juaj për ndeshjen e parë me Orikumin?

Ishte ndeshja e parë dhe donim ta fitonim patjetër që të kishim një nisje të mbarë. E arritëm atë që dëshironim dhe tani të mendojmë për ndeshjen e radhës. Çdo ndeshje vlen 3 pikë.

Një mesazh për tifozët e Dinamos?

Tifozët janë ata që të ndihmojnë, që edhe në momentin kur je më i lodhur të bëjnë të vraposh më shumë. Shpresoj dhe do të doja shumë që nga ndeshja në ndeshje t’i afrojmë sa më shumë pranë ekipit. Me tifozët pranë do të bëhet më e lehtë arritja e objektivave.

Si e prisni sfidën me Skënderbeun?

Skënderbeu është një ekip me lojtarë mjaft cilësorë, do të jetë një ndeshje që do të ketë vlerësimin e duhur dhe do të bëjmë më të mirën. Ne do të shkojmë për 3 pikët e radhës në Korçë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"