Digjen 2 skuadra/ Çështja e Luftëtarit ngre disa pikëpyetje për Grupin B, ja dilemat e Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 23:51

Digjen 2 skuadra/ Çështja e Luftëtarit ngre disa pikëpyetje për Grupin B, ja dilemat e Kategorisë së Parë

Pas një pritjeje të stërgjatë, futbolli kombëtar do të nisë me dy kategoritë inferiore. Kategoria e Parë nis të shtunën dhe Kategoria e Dytë starton të dielën.

KATEGORIA E PARE DHE E DYTE

Merr fund kështu stresi që ishte krijuar te lojtarët dhe më shumë akoma te trajnerët, të cilët nuk dinin se çfarë programi stërvitor të aplikonin me skuadrat e tyre pas shtyrjes javë pas jave të kampionatit. Një periudhë e gjatë stërvitore dhe shumë ndeshje miqësore, por që kurrsesi nuk mund të zëvendësonin ato zyrtare, ndaj dhe të gjithë kishin filluar të ankoheshin kohët e fundit.

KATEGORIA E PARE

DILEMA ME LUFTËTARIN – Kategoria e Parë këtë sezon vjen me ndryshime, ku dy grupet, A dhe B, kanë nga 9 skuadra, që do të thotë se çdo javë një skuadër bën pushim të detyruar. Por, në Grupin B ka disa dilema, të cilat shkaktohen nga situata që po kalon Luftëtari i cili aktualisht duket i shkrirë.

Luftetari-Kelcyra

Bashkia e qytetit, që ka 25% të aksioneve të klubit, ka kallëzuar penalisht presidentin Bekim Halilaj, ishpresidentin Grigor Tavo dhe ish-kryebashkiaken Zamira Rami, ndërkohë që po mendon për një ekip me emër të ri, i cili do ta niste nga niveli më i ulët i futbollit në vend, sipas rregullores. Çfarë ndodh në këtë rast me Grupin B? Së pari, FSHF-ja duhet të presë, ashtu siç parashikon rregullorja, nëse Luftëtari do të paraqitet apo jo në Pogradec për ndeshjen e parë të kampionatit të ri.

Nëse gjirokastritët nuk dalin në fushën e stadiumit “Gjorgji Kyçyku”, e humbasin në tavolinë ndeshjen me rezultatin 3-0. Nëse edhe në javën e dytë të kampionatit nuk paraqiten, ata humbasin sërish në tavolinë dhe paralajmërohen për përjashtim, më pas përjashtohen nga aktiviteti dhe zbriten një kategori më poshtë, nëse asgjë nuk ndryshon.

DIGJEN DEVOLLI DHE MALIQI – A ka mundësi që Luftëtari, gjithmonë nëse nuk hyn në garë, të zëvendësohet nga një ekip tjetër. Nuk ka mundësi, sepse Devolli që zbriti nga e Para sezonin e fundit pas ndeshjeve të “play out”-it, ka rënë sportivisht, kështu që rikthimi i tij do të krijonte një precedent të rrezikshëm për FSHF-në.

Maliqi-Devolli (1)

Po Maliqi, ekipi i Kategorisë së Dytë që i shkoi pranë ngjitjes një kategori më lart sezonin e fundit? Edhe ky ekip nuk përfiton. Gazeta ka mësuar se Maliqi nuk ka fushë për të marrë pjesë në Kategorinë e Parë dhe ndeshjet do t’i luajë në aneksin e stadiumit “Skënderbeu” të Korçës. Kjo do të thotë se në Grupin B, sipas të gjitha gjasave, do të mbeten 8 skuadra dhe çdo javë dy prej tyre i bie që të jenë pushim.

FATJON RUPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"