“Diferencat janë vetëm te pikët, ekipet janë të barabarta”, Ivanoviç: Pauza na shërbeu, Teuta do të kthehet te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2021 | 14:25

“Diferencat janë vetëm te pikët, ekipet janë të barabarta”, Ivanoviç: Pauza na shërbeu, Teuta do të kthehet te fitorja

Teuta ditën e mërkurë ka mposhtur 2-0 Korabin në ndeshjen e kthimit të Kupës, ku kualifikimi u vulos me golat e Ivanoviçit dhe Plakut. Në çerekfinale të Kupës durrsakët rigjejnë Skënderbeun, që një sezon më parë i eliminoi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi shtatlartë i Teutës, Filip Ivanoviç, autori i golit të parë ndaj dibranëve, u shprehu se ekipi do të arrijë të marrë “hak” ndaj Skënderbeut në Kupë, por edhe në kampionat. Sa i përket kampionatit, mbrojtësi serb pohoi se nuk shikon diferenca mes skuadrave të Superiores dhe kualifikimi në Kupë dhe ndërprerja e kampionatit i kanë shërbyer shumë Teutës në aspektin psikologjik.

IVANOVIC 1

Sa i lumtur jeni për golin dhe për kalimin në çerekfinale të Kupës?

Jam i kënaqur me mënyrën se si skuadra e ka trajtuar këtë ndeshje. Të përqendruar që në minutën e parë, me dëshirën për të fituar, ia arritëm në fund. Jam i lumtur për golin, por do të ketë dhe shumë të tjerë.

Mendoni se pauza e kampionatit ju ka shërbyer për mirë?

Gjatë këtyre ditëve u punua më shumë në drejtimin psikologjik, pasi duhet të rikthehet vetëbesimi i skuadrës dhe rruga e fitoreve. A e keni gjetur ritmin e duhur te Teuta? Unë e kam zakon të them: si punon, ashtu të kthehet”. Asgjë nuk vjen thjesht, gjithçka duhet merituar.

Këtë javë keni përballë Skënderbeun, si e shihni këtë ndeshje?

Do të jetë një ndeshje e fortë. Një kundërshtar i vështirë, i cili po luan në një tranzicion të shpejtë. Shpresoj për një rezultat pozitiv.

Mendoni se ka ardhur momenti që Teuta të rikthehet te fitorja pas dy rezultateve jo të mira në kampionat?

Synimet e Teutës janë gjithmonë të dalim në fushë dhe të fitojmë, do të bëjmë më të mirën, na duhet fitore në ndeshjen e radhës.

Si e shikoni kampionatin deri në këtë moment?

Skuadrat janë të barabarta. Ka një diferencë në pikë, por për nga cilësia janë të gjitha afër. Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Sezoni është i gjatë dhe ekipi që do të jetë më konstant do të jetë më afër titullit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"