Zyrtare, Diego Lopez është portier i Milanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2014 | 14:07

Zyrtare, Diego Lopez është portier i Milanit

LopezDiego Lopez është tashmë portieri i ri i Milanit. Përfaqësuesi i tij, Manolo Garcia Quilon, ka arritur një marrëveshje me Adriano Galianin, zëvendëspresident i kuqezinjve, të shtunën në mëngjes në “Forte dei Marmi”. Në bazë të akordit mes dy palëve, portieri do të qëndrojë pjesë e skuadrës nga “San siro” deri në vitin 2018, ndërsa do të kalojë testet mjekësore të hënën që vjen. Me largimin e galicianit përfundon një nga telenovelat e merkatos së verës. Pas nënshkrimit të Kejlor Navas, Real Madridi kishte nevojë e “shkarkimit” të njërit prej dy portierëve të tjerë të tij. Ai kishte në dispozicion Iker Kasijas dhe Diego Lopez. Ky i fundit mbërriti në “Bernabeu” në kohën e Hoze Mourinjos, menjëherë pasi Kasijas pësoi një dëmtim në dorë, cka e la disa muaj jashtë fushave të blerta. Trajneri portugez, megjithatë, vijoi t’ia besojë portën Diego Lopezit edhe pasi veterani spanjoll u kthye nga dëmtimi. Pas largimit të “Special One” nga drejtimi i “Los Blancos” dhe ardhjes së Karlo Ancelotit, Diego Lopez e ruajti pozitën e titullarit në ndeshjet e La Liga-s mes një debati që i ndau tifozët e Realit. Një pjesë e tyre kërkonin që galiciani të ishte rezervë e kapitenit të Real Madridit, mirëpo tekniku italian bëri zgjedhjen e vet. Në ndeshjet e kampionatit luajti Lopez, ndërsa në ato të Kupës së Mbretit dhe në Champions aktivizohej Kasijas.
Kalimi te Milani Diego Lopez ka përfunduar tashmë në radhët e Milanit, pas arritjes së një marrëveshje me gjigandët e Seria A. Betejën për numrin një të portës madrilene e ka lënë mes Navas dhe Kasijasit.
Llogaria në Twitter e kanalit zyrtar televiziv të Milanit, por edhe mediat iberike, zbuluan lajmin. Klubi kuqezi konfirmon gjithcka me një mesazh mikpritës për portierin, publikuar të shtunën në mëngjes. Drejtori ekzekutiv dhe zv.presidenti i Milanit, Adriano Galiani, gjithashtu, ka konfirmuar lajmin për tifozët kuqezinj të shtunën. “Diego Lopez në Milano është një punë e kryer në 99%,” – citohet Galiani nga “Gazetta dello Sport”.
“Marca”, prestigjiozja spanjolle, shkon më tej rreth mesditës së të shtunës, kur zyrtarizon marrëveshjen mes dy klubeve dhe mbylljen e transferimit të Lopez te Milani. Sipas saj, portieri në fjalë do të kryejë testet mjekësore të hënën, para se të firmosni një kontratë katërvjeçare me skuadrën nga “San Siro”. Marrëveshja mendohet se parashikon një fitim prej rreth 2.5 milionë € në sezon për 32-vjecarin. Transferimi i Lopez vjen vetëm disa ditë pasi spanjolli, i cili ishte duke u gjurmuar edhe nga Napoli e Liverpuli, u kishte thënë drejtorëve të Realit se besonte që ishte portieri më i mirë aktualisht në klub. Lopez arriti në mes të sezonit 2012-2013 te Reali i Madridit nga Sevilja, pasi u kërkua me ngulm nga ish-trajneri Hoze Mourinjo, kur portieri i parë, Iker Kasijas, pësoi një dëmtim.
Lopez erdhi përmes sistemit të të rinjve të Madridit, por u bashkuan me Vilarealin në vitin 2007, ku u emërua si portieri më i mirë i ri një vit më vonë, para se të lëvizte drejt Seviljas në vitin 2012.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"