“Diçka nuk shkon, po lëmë pikë ndaj rivalëve”, futbollisti serb i Besëlidhjes: Ta mbyllim vitin me dinjitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2020 | 13:13

“Diçka nuk shkon, po lëmë pikë ndaj rivalëve”, futbollisti serb i Besëlidhjes: Ta mbyllim vitin me dinjitet

Besëlidhja ka humbur ndjeshëm terren për kreun. Kanë lënë rrugës 8 pikë dhe në Lezhë kanë frikë se këto gabime mund t’u kushtojnë misionin “Superiore”. Kur kanë mbetur edhe 180 minuta për t’u luajtur nga fundi i fazës së parë, kërkohet me çdo kusht kthesa. Këtë e thotë edhe Milan Gjorgjeviç, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”. Teksa analizon 7 ndeshjet e luajtura, mesfushori me tipare sulmuese gjen edhe defektin e ekipit të tij. “Më vjen keq për humbjet me Korabin dhe Dinamon. Historikisht i kemi mundur skuadrat pretendente, por këtë sezon po ndodh e kundërta. Në të shkuarën kemi lënë pikë me skuadrat që kanë rënë kategoria ose e kanë mbyllur sezonin në minigrupin e mbijetesës. Këtë vit po humbim me rivalë direktë dhe kjo nuk shkon.
milan-gjorgjevic
E nisëm kampionatin si kampionë të vërtetë, më pas gjithçka u rrokullis. Më habit fakti se si këta futbollistë, pjesa dërmuese e tyre djem të rinj, me perspektivë, nuk po shpërbëhen. Jam dakord që një ndeshje humbet dhe për më tepër në transfertë, por të barazosh pa gola në shtëpi me Burrelin, do të thotë që nuk kemi dhënë aq sa duhet. Edhe fitorja minimale me Erzenin mua nuk më ka kënaqur. U mjaftuan me pikët dhe kjo u reflektua me Dinamon, ku e humbëm 2-0. Me fazën e parë ne kalojmë edhe ndeshjet e vështira e kjo na jep shpresë që në të dytën të reflektojmë. Tani skuadrat para nesh do të ndeshen mes tyre dhe kjo është në favorin tonë për të fituar terren në klasifikim”, tha fillimisht serbi.
gjorgjevic (1)
Milan Gjorgjeviç ndalet te dy javët e fundit të kësaj faze, ndërsa hapur kërkon që t’i bëhet një mbyllje dinjitoze 2020-ës. “Kemi edhe dy ndeshje për këtë vit, të shtunën në shtëpi me Orikun dhe në mesjavë luajmë në transfertë me Veleçikun. Do të luftojmë për fitore dhe kam shumë besim se do t’ia dalim. Kjo do të na rikthente praktikisht në vallen e pretendentëve, duke e mbyllur fazën e parë dhe 2020-ën në vend të dytë”, përfundoi 32-vjeçari.

Sakaq, skuadra ka vazhduar përgatitjet në drejtimin e Sinan Bardhit. Të shtunën, lezhjanët do të presin në shtëpi Orikun, sfidë që ka marrë vlerësimin maksimal të tyre. Kjo, pasi vetëm fitorja do t’u vlente për të vazhduar rrugën drejt objektivave.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"