“Dhimbje koke” për trajnerin Ndreu, Kastrioti me probleme dëmtimesh para sfidës ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 13:31

“Dhimbje koke” për trajnerin Ndreu, Kastrioti me probleme dëmtimesh para sfidës ndaj Tiranës

Ndonëse me Elbasanin u hodh një hap i rëndësishëm drejt kualifikimit, me krutanët që presin të qetë ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë falë rezultatit të ndeshjes së parë të fituar 2-0. Stafi teknik nuk ka dalë fort “i kënaqur” nga kjo përballje, pasi një pjesë e mirë e lojtarëve në seancën e djeshme stërvitore kanë munguar për shkak se kanë marrë goditje dhe janë në dyshim për sfidën me Tiranën.

KASTRIOTI

Janë jo pak, por katër lojtarë formacioni që janë në dyshim për sfidën e së shtunës ndaj bardhebluve. Është Bedri Greca, lojtari që kreu zëvendësim të detyruar në sfidën me Elbasanin dëmtim që mund të jetë penalizues për lojtarin dhe skuadrën në ndeshjen e nesërme.

Krahas tij, edhe Ouale Onanuga ka pasur shqetësime, por gjithashtu edhe Indrit Prodani dhe Abaz Karakaçi janë në një gjendje jo optimale për shkak të ndërhyrjeve të ashpra që bënë lojtarët e Elbasanit. Megjithatë, stafi mjekësor ka nisur nga puna për të bërë të pamundurën që lojtarët të jenë në ndeshje.

Sa i takon pjesës tjetër të skuadrës, seanca e djeshme është zhvilluar normale e ndarë në dy grupe, pjesa e lojtarëve që u aktivizuan kanë zhvilluar një stërvitje më të lehtë, ndërsa pjesa tjetër stërvitje normale. Ndeshja Kastrioti-Tirana do të luhet të shtunën në orën 13:45 në stadiumin “Kamza”.

Dane Ndreu

PORTIERI – Edmir Sali, gardiani i krutanëve u dëmtua në nxehje në fillim të ndeshjes me Kukësin, një javë më parë. Aktualisht, gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm dhe pritet që të jetë në dispozicion të stafit teknik ndaj bardhebluve duke bërë në këtë mënyrë një rikthim të rëndësishëm krahas dilemave të lojtarëve të tjerë.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"