Dështoi te Partizani, tani e do River Plejti për 350 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2018 | 12:31

Dështoi te Partizani, tani e do River Plejti për 350 mijë euro

Karlos Hulio Robles Roça, e mbani mend këtë emër? Ky është emri i mesfushorit kolumbian, që zbriti te Partizani në vjeshtën e 2015-ës, por pas tre muajsh largohet si i padobishëm nga të kuqtë e kryeqytetit. Kolumbiani mbërriti me bujë te Partizani, pasi e solli një legjendë e kombëtares së Kolumbisë dhe Interit të Milanos, Ivan Kordoba.

7e94bf58-e89c-48f3-8951-26ee122702f5

Ish-mbrojtësi interist foli me superlativa për lojtarin që solli, por te Partizani nuk i besuan shumë, pasi me ekipin e parë luajti vetëm 248 minuta në 5 ndeshje dhe kohën më të madhe e kaloi te Partizani B në Kategorinë e Dytë. I pavlerësuar, kolumbiani u largua nga Partizani në merkaton e janarit të 2016-ës dhe u kthye në vendlindje tek Atletiko Huila.

Mesfushori shkatërrues dështoi te “demat e kuq”, por ai nuk u dorëzua dhe sot kërkohet nga një klub i famshëm i elitës së futbollit të Argjentinës, River Plejt. Sipas lajmeve që raportojnë mediat argjentinase dhe kolumbiane mësohet se River Plejti kërkon që të huazojë ish-lojtarin e Partizanit, të cilin e kërkon si një përforcim për në qendër të mbrojtjes.

1b0afb89-6ed9-4a64-ae4b-97b864e66ee6

Karlos Roça po kalon formë të mirë me Deportes Tolima dhe pritet që të kalojë te gjigandët e futbollit argjentinas. Sipas lajmit të publikuar nga gazeta argjentinase “Ole”, River Plejti është i gatshëm që të paguajë 350 mijë euro te klubi kolumbian për huazimin e 26-vjeçarit, i cili te Deportes Tolima po shkëlqen në qendër të mbrojtjes, ku në 13 ndeshje ka shënuar edhe një gol.

Rasti i lojtarit kolumbian tregon gabimet që ka bërë Partizani në të shkuarën, pasi nuk është besuar shumë tek elementët e rinj ose atyre nuk u është gjendur vendi i duhur për të luajtur. Karlos Robles, nga i dështuar te Partizani, është kandidat për t’u bërë pjesë e River Plejtit në Argjentinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"