“Derbin e fitojmë ne”, Mërgjyshi: Ja cilat janë avantazhet e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 10:22

“Derbin e fitojmë ne”, Mërgjyshi: Ja cilat janë avantazhet e Apolonisë

Lushnja dhe Apolonia provojnë forcat mes tyre sot në “Roza Haxhiu”, në një përballje të hapur, që gjithmonë tërheq vëmendjen dhe interesin jo vetëm të publikut myzeqar. Dy ekipet ndodhen në “katin e epërm” të Grupit B dhe gjer tani, bashkë me Pogradecin, janë pretendentët kryesorë për në Superiore. Në prag të kësaj sfide, trajneri Artan Mërgjyshi për “Panorama Sport” bën një rezyme të derbit dhe …mergjyshi

Sa i rëndësishëm është ky derbi për Apoloninë?

Derbi, në çdo situatë është një ndeshje specifike për historinë dhe traditën. Jemi dy skuadra rivale dhe renditja aktuale nuk është se ka ndonjë efekt. Edhe nëse do të ishte një situatë me diferencë më të madhe pikësh, prapë derbi e ka vetë karikimin, dëshirën dhe çdo lojtar që luan, do të japë më të mirën. Kurrë nuk ndikojnë historitë e mëparshme, çdo ndeshje është histori më vete.

A ndikojnë rezultatet e takimeve të tilla në ecurinë e mëtejshme?

Në këtë moment, një rezultat pozitiv ndikon shumë psikologjikisht, pasi do të ishte shumë mirë për klasifikimin dhe vazhdimësinë. Gjithsesi, duhet respektuar në maksimum kundërshtari. Mendoj se në një ndeshje futbolli, jo vetëm në derbi, janë të tria rezultatet brenda dhe fitorja të jep kurajë, por jo se humbja na tërheq nga ambiciet.

Pas 3 fitoreve radhazi, skuadra mund të kalojë në eufori. Si e keni menduar menaxhimin e kësaj situate?

Mund të kishim frikën e euforisë nëse do luanim me një kundërshtar të lehtë, por tani të gjithë jemi të karikuar, na bën mirë që luajmë me një rival. Aspekti psikologjik është në favorin tonë, gjithsesi futbolli asnjëherë nuk ka receta. Duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë ecuri pozitive. Jemi me këmbë në tokë, jo euforikë.

A ka një lloj presioni tek Apolonia nga humbja e fazës së parë?

Ajo është ndeshje e kaluar, e luajtur javën e dytë, kur ishim një skuadër e sapoformuar, me shumë djem të rinj, ishim në hapat e parë. Megjithatë, bëmë një ndeshje më të mirë se kundërshtari, vendosën episodet. Ajo ndeshje ka mbetur pas dhe nuk besoj se ndikon negativisht, përkundrazi, na motivon më tepër.mergjyshi

Sipas jush, cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e secilës skuadër?

Ecuria e javëve të fundit është në favorin tonë, ndërsa Lushnja është frenuar. Ne kemi energjinë e djemve të rinj, që është diçka më shumë se kundërshtari. Disavantazhet janë se luajmë në fushë kundërshtare, me një ekip me eksperiencë, që ka shumë cilësi brenda.

Një parashikim i Mërgjyshit për këtë ndeshje?

Ndeshja është 50 me 50. Nuk shoh ndonjë ekip më të avantazhuar, por them se fitojmë ne. Jo për t’i dhënë besim skuadrës, por jemi në një moment të mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë fort.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"