Derbi luhet në Peqin/ Sutaj beson te fitorja, Allamani: Marrim pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2021 | 13:40

Derbi luhet në Peqin/ Sutaj beson te fitorja, Allamani: Marrim pikë

Elbasani luan vetëm për fitore kundër Turbinës. Çdo rezultat tjetër do t’i zbehte edhe ato pak shpresa që u kanë mbetur për mbijetesën. Përballja është vendosur të zhvillohet në stadiumin e Peqinit. Grupi do të jetë i plotë dhe kjo e ka qetësuar edhe Anxhelo Sutën.

anxhelo suta

Trajneri beson te pikët, ndërsa për gazetën thotë: “Më gëzon më shumë morali i skuadrës, i cili është më i lartë se javët e tjera. Fitorja në Vlorë na ka rritur optimizmin, gjë që na ka munguar përgjatë këtij sezoni. Tani situata ka ndryshuar dhe unë pres shumë nga djemtë. Asnjëherë nuk është vonë për të bërë kthesën, sidomos tani që kemi hyrë seriozisht në garën për mbijetesë. Neve na bën punë vetëm fitorja, pasi është një nga tri finalet që na kanë mbetur. Mund të them se mbijetesa jonë kalon pikërisht nga derbi. Turbina vjen i çlirët, ndaj presioni bie mbi ne”, u shpreh tekniku.

Turbina ka mbyllur përgatitjet anti–Elbasan dhe sot do të marrë rrugën drejt Peqinit, ku do të luhet kjo sfidë. Alfred Allamani e parashikon të fortë këtë duel, ndërsa me bindje e thotë që nuk do të largohen duarbosh. “Derbet janë gjithnjë të forta, ndaj e tillë do të jetë edhe kjo e së shtunës. Edhe pse e kemi siguruar mbijetesën, ne e kemi vlerësuar shumë këtë 90-minutësh. Do synojmë rezultat pozitiv ndaj tyre dhe shpresojmë se nuk do dalim duarbosh. Kemi një ekip të mirë dhe elementë cilësorë, kështu që kam besim te grupi i lojtarëve të mi. Këta të fundit janë në formë të mirë dhe nuk kanë probleme dëmtimesh apo skualifikimesh. Do vazhdojmë të ruajmë serinë e ecurisë pozitive deri në fund të sezonit. Kështu që, nuk do të pranojmë asnjë humbje dhe do luajmë drejt me çdo kundërshtar. Kam besim se do t’ia dalin”, u shpreh për gazetën trajneri i Turbinës. VLADIMIR MEMA/ MARIGLEN MIRAKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"