Derbi konfirmim, Dinamo do edhe “kokën” e… Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2022 | 10:13

Derbi konfirmim, Dinamo do edhe “kokën” e… Tiranës

Fitorja me Kukësin ishte shumë e rëndësishme për Dinamon pas ndryshimeve që skuadra ka bërë në këtë periudhë, por kuptohet që nuk mjafton, sepse diferenca me katër vendet e para mbetet ende e konsiderueshme.

DINAMO

Blutë duhet të fitojnë në vazhdimësi për të hyrë në garë për një vend për Europën edhe nëpërmjet kampionatit. Dhe ndeshja me Kukësin tregoi se janë të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë.

Dinamo u shfaq një skuadër ndryshe, më e mbledhur, më e rrezikshme në sulm dhe më e sigurt në lojën e saj.

Tani përpara është derbi me Tiranën dhe nuk ka mundësi më të mirë konfirmimi për të besuarit e trajnerit Bledi Shkëmbi. Nëse ata mundin edhe Tiranën, atëherë mund të thuhet me bindje të plotë se Dinamo ka ndërruar faqe dhe është në gjendje të rikuperojë gradualisht pikët e humbura gjatë vitit 2021.

TIRANA – Kundërshtari i javës së 17-të njihet më mirë se gjithë të tjerët, sepse deri tani blutë janë ndeshur tri herë me Tiranën. Kanë humbur 4-0 në kampionat, ndërsa në Kupën e Shqipërisë arritën atë kualifikim dramatik pas një maratone penalltish, pasi të dyja ndeshjet kanë përfunduar me rezultatin 2-0. Tani Dinamo ka një skuadër më të fortë, me më shumë eksperiencë në përbërjen e saj, ndaj dhe shpresat për fitore, që do të ishte një fitore konfirmimi, janë të mëdha. Po ashtu, në anën e Dinamos para derbit është edhe gjendja psikologjike, pasi ajo vjen pas një fitoreje, kurse Tirana vjen pas një ndeshjeje të dobët me Vllazninë.

FORMACIONI FITUES – Dinamo pritet të zbresë në fushë të hënën në stadiumin “Air Albania” me formacionin që mundi Kukësin. Jo vetëm se formacioni fitues nuk ndryshohet, siç thuhet rëndom në futboll, por edhe për faktin se ata që luajtën titullarë të mërkurën janë alternativat më të mira për momentin për trajnerin Shkëmbi. Isaevski do të jetë jashtë për disa javë, kurse Çinedu është infektuar nga COVID-i.

Sulmuesi Rexhinaldo edhe këtë herë mendohet ta nisë nga stoli, por ndoshta do të ketë më shumë minuta se ndaj Kukësit. Braziliani Denison bëri një debutim mbresëlënës me fanellën e Dinamos dhe e ka fituar vendin e titullarit, ndërsa për Lilajn askush nuk ka dyshime. Trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij kanë edhe dy ditë kohë për ta përgatitur këtë sfidë të vështirë dhe ndoshta mund të ndryshojë diçka, por mundësitë më të mëdha janë që t’i qëndrojnë besnik formacionit fitues.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"