Dëmtimi në mjekër, Useini rikthehet i motivuar: Fitojmë në transfertën shkodrane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 19:26

Dëmtimi në mjekër, Useini rikthehet i motivuar: Fitojmë në transfertën shkodrane

Muhamed Useini ndihet i gatshëm për ndeshjen me Vllazninë. Shqiptari nga Maqedonia, në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, thotë se pas dëmtimit në mjekër në ndeshjen me Luftëtarin, çdo gjë ka kaluar.

Useini

“Ishte një goditje që e mora në pjesën e poshtme të nofullës, por gjithçka kaloi. Nuk është se isha në luftë për jetën siç u tha. Ishte një moment kur humba ndjenjat. Por më pas u përmenda dhe u bëra mirë. Aktualisht unë jam në maksimumin tim. Jam kthyer menjëherë në stërvitje dhe nuk kam patur probleme. Jam shumë i gatshëm për ndeshjen e radhës”, shprehet Useini.

Duke komentuar ndeshjen që Flamurtari do të luajë në Shkodër me Vllazninë të enjten, Useini thotë se do të jetë një ndeshje e vështirë për shkak të kundërshtarit që ka bërë mirë deri tani.

“Ndeshja me Vllazninë është e vështirë. Shkodranët janë një ekip i mirë dhe që e kanë treguar këtë gjë në katër javët e para të sezonit. Luajnë në fushën e tyre dhe normalisht janë më të qetë, megjithatë këto janë ndeshje që zgjidhen nga episodet. Kampionati shqiptar është shumë i ekuilibruar dhe ne do të bëjmë gjithmonë maksimumin”, ka thënë Useini, që është bërë pjesë e vlonjatëve gjatë merkatos.

muhamed useini

REZULTATI – Natyrisht që për Flamurtarin fitorja mbetet objektivi i vetëm në këtë ndeshje delikate dhe Useini e di mjaft mirë një gjë të tillë. Sipas tij skuadra është përshtatur mirë dhe kjo është një gjë pozitive.

“Fitorja do të na ndihmonte për ecurinë e ekipit. Me punë arrihet çdo gjë. Por, rezultati pozitiv apo edhe triumfi nuk vijnë nëse puna nuk bëhet siç duhet. Ajo që mund të them është se tashmë e njohim mjaft mirë lojën e njëri-tjetrit. Ekipet e tjera mund ta kenë më të vështirë përshtatjen, por ne, edhe pse kemi tre muaj si grup, më duket sikur jemi njohur prej vitesh”, ka vazhduar futbollisti.

muhamed useini1

OBJEKTIVI – Useini shprehet se objektivi i Flamurtarit mbetet vlerësimi i çdo ndeshjeje, por primar për të mbetet respekti ndaj fanellës së Flamurtarit. “Objektivi ynë do të arrihet ndeshje pas ndeshjeje. Presidenti nuk na ka vënë në presion, na ka kërkuar vetëm të respektojmë fanellën dhe të përkushtohemi maksimalisht. Jemi të angazhuar për këtë gjë”, ka përfunduar Useini, i cili ka arritur të zërë një vend titullari në mesfushën e skuadrës së drejtuar nga Duro.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"